AIK nuk e ble Asanin?

Jasir Asani u transferua në merkaton e janarit nga Partizani drejt kampionatit të Suedisë, te klubi i AIK Stokolm. Sulmuesi nëpërmjet formulës së huazimit, ka bërë një hap të madh në karrierën e tij, megjithatë situata nga koronavirusi mund të vendosë në pikëpyetje të ardhmen e tij. Kampionati në Suedi ende nuk ka nisur dhe starti i tij është shtyrë për shkak të koronavirusit.

Kështu, me ekipin e tij të ri, Asani deri më tani është aktivizuar vetëm tre herë, në miqësore dhe në Kupë teksa ka gjetur edhe një herë rrugën e rrjetës. Megjithatë, kjo mund të mos jetë e mjaftueshme që AIK të paguajë paratë në qershor për ta transferuar përfundimisht nga Partizani. Për këtë temë ka folur edhe menaxheri i AIK, Henrik Jurelius. Ai është shprehur se është krijuar një situatë e vështirë me Asanin dhe që duhet vlerësuar.

“Qartësisht është shumë shpejt për ta vlerësuar Asanin dhe sigurisht është një situatë e vështirë për të. Edhe ne e kemi të vështirë nëse nuk ka ndeshje, tani me shumë mundësi aktivitetin do ta fillojmë në mesin e muajit maj dhe do ta vlerësojmë më pas. Marrëveshja është një huazim deri në qershor dhe ne ende nuk kemi nisur bisedimet për një rinovim të marrëveshjes”.

Ndërkohë, një impakt në transferimin e Asanit, mund të ketë edhe rikuperimi nga dëmtimi i futbollistit Nabil dhe këtë e ka pranuar edhe menaxheri. “Sigurisht që rikuperimi i Nabil do të ketë një impakt. Nabil po bëhet gjithnjë e më i gatshëm për të luajtur, por deri më tani nuk i kemi të gjithë letrat dhe na duhet të presim”, u shpreh menaxheri Jurelius.


Shtuar 6.04.2020 12:11