Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar depoziton në Prokurori padi

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka depozituar në Prokurori një padi kundër vendimit për shembjen e godinave ekzistuese të Teatrit.

Të paditur janë inxhinieri, Artur Hasantare me funksion përgjegjës sektori pranë Institutit të ndërtimit, inxhinier, Olsi Nunaj me funksion specialist pranë Institutit të Ndërtimit dhe arkitekte, Elbarina Kola me funksion specialist pranë Institutit të Ndërtimit.

“S’ka akt-konstatim për shembjen. Këta inxhinierë nuk kanë qenë asnjëherë në objekt. Tre nga këta specialistë, dy inxhinierë dhe një arkitekt kanë propozuar Bashkisë shembjen e objektit pa ardhur pa e këqyrur në tërësinë e vet.

Janë totalisht jashtë këtij akti, nuk janë firmëtar të 2018, janë futur rishtazi, është e qartë që janë përdorur ose janë vetë ofruar për t’u përdorur. Nuk ka një akt konstatim të ri, ky është bërë në tavolinë, është i njëjti si ai i 2018 dhe pavarësisht që nuk kanë ndryshuar asnjë fjalë, kanë dhënë një vendim që nuk e dhanë ata të 2018. Tre inxhinierë të Institutit të Ndërtimit janë kallëzuar nga Aleanca, kemi kërkuar hetimin në tërësi të dosjes së Teatrit”.

Ditën e djeshme kreu i Këshillit Bashkiak të Tiranës ka firmosur vendimin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, një ditë para mbledhjes së Këshillit. Nëpërmjet një vendimi të firmosur nga kreu i këtij këshilli Toni Gogu me nr.50 datë 14 maj 2020, është vendosur shembja e ndërtesës.


Shtuar 15.05.2020 09:46