Pse mungoi në mitingun e PD, përgjigjet Kryemadhi

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi këtë të dielë ka rrëfyer arsyen pse nuk ishte e pranishme në hapjen e fushatës elektorale të PD-së.

Kryemadhi në një intervistë në Abc news, ka deklaruar se mitingu ishte një aktivitet simbolik për prezantimin e kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike.

Më tej, ajo theksoi se agjendat politike janë individuale, por ndërkohë që njerëzit në terren qoftë të LSI apo edhe të PD janë në kontakt me njëri-tjetrin.

“Dua të theksoj që mitingu sepse e pata dhe një debat me disa gazetarë të tjerë ai ishte mitingu i prezantimit të kandidatëve të PD dhe të aleancës së tyre ndërkohë që ka akoma dhe 29 ditë që na ndajnë, do të vazhdojmë akoma secili në agjendat tona politike individuale, por ndërkohë që njerëzit në terren qoftë të LSI, PD apo AN janë në kontakt me njëri tjetrin.

Unë mendoj që ajo ishte një aktivitet simbolik i PD sepse gjëja kryesore që është sot është që fushata e opozitës ka nisur që në momentin që ne kemi djegur mandatet. Nuk ka nisur në kohën që ne mund të jemi në aspektin po ta quajmë zyrtar siç ka qenë më para. Djegia e mandatave të LSI dhe gjithë opozitës ka qenë sipari i hapjes së fushatës elektorale të cilat kanë një datë tashmë, kanë 25 prillin që nuk është shumë lart është 29 ditë”, ka thënë Kryemadhi.


Shtuar 28.03.2021 16:00