Emanuel Egbo së fundmi ka treguar shumë për jetën e tij, që shumë pak i dinë, duke filluar nga ardhja në Shqipëri te lidhja me tifozët e Tiranës dhe racizmi. I ftuar në emisionin “ABC-ja e Mëngjesit”, trajneri nigerian ka treguar se Shqipërinë dëshironte ta përdorte si trampolinë për karrierën e tij në 2001, por mbeti këtu. Gjithashtu ai tregon se kur erdhi të gjithë e shikonin ndryshe, pasi ishte me ngjyrë, teksa tregon gjithashtu se kanë hedhur edhe banane në drejtim të tij. Egbo i ka mahnitur të gjithë, teksa është shprehur se e di himnin e Shqipërisë, madje edhe e ka kënduar atë.
“Emri im është Emanuel Egbo. Kam ardhur në Shqipëri në vitin 2001, kur president ishte El Sajed. Kam punuar si zv trajner dhe trajner i portierëve. Kam marrë të gjitha licencat e trajnerëve. Kam qenë si trajner i parë i Bylis, më pas kalova te Tirana si zv trajner dhe trajner portierësh.
Kam punuar edhe si trajner provizor, kur janë shkarkuar trajnerë të Tirana, kam drejtuar nga 4-5 ndeshje, jam mësuar duke stërvitur ekipin e parë. Kam marrë licencimin, ky është pasioni im. Unë gjithmonë mendoj vetëm ët punoj. Jam tirons dhe afrikan i vjetër.
Nuk e kisha menduar që do të qëndroja kaq gjatë këtu. Erdha ta përdor Shqipërinë si trampolinë, por mbeta këtu. Më kanë bërë përshtypje shqiptarët. Janë si familje, shtëpia ime e dytë, kultura është e ngjashme me atë nigeriane. Jam i martuar, nusen e kam nga Filipinet. Kemi tre vjet që jemi martuar dhe po presim një fëmijë tani. Kam që në 2014 që kam marrë nënshtetësinë shqiptare. Po, votoj. Nuk jam njeri politik. Kur të jenë zgjedhjet, do votoj për atë që mendoj se do bëjë punë.
Tifozët e Tiranës më kanë respektuar gjithmonë. Kam dhënë maksimumin gjithmonë për ekipin. Kam pasur respekt, nga Tirona Fanatics dhe tifozët e Tiranës. Kanë thirrur emrin tim edhe kur kam qenë pjesë e Bylis. Kam lënë gjurmë te Tirana, kam fituar kampionate dhe kupa.
Besoj shumë te Zoti. Pa të nuk mund të jetojmë, ai na jep frymëmarrje. Është një mrekulli çdo ditë që zgjohemi, e falënderoj për gjithçka. Zoti është në vendin e parë.
Ishte e lehtë, Zoti na drejtoi në suksesin e Tiranës. Pa hirin e Zotit brenda, asgjë nuk shkon perfekt. Kemi dhënë maksimumin dhe ai na ka zgjidhur punë gjithmonë. Ka disa ndeshje që kemi fituar, e kemi përmbysur rezultatin dhe lojtarët s’e kanë shpjeguar dot se si ia kemi dalë në disa raste. Zoti na ka ndihmuar, kudo që shkoj ai vjen me mua.
Mbaj mend vitin 2001, jam befasuar shumë duke parë shumë njerëz, më shihnin sikur kisha zbritur nga qielli. Isha ndër njerëzit e parë me ngjyrë. Aty kuptova që Shqipëria kishte qenë e mbyllur. Mendoj se nuk ishte racizëm, ishte injorancë, njerëzit nuk e dinin, kishin kaluar kohë të vështira.
Tani është ndryshe, mentaliteti ka ndryshuar, kanë dalë jashtë dhe kanë parë kultura të tjera. Kam qenë në shumë dasma tiranase. Kam qenë kur u martua Fortuzi, Sina, Pinari, Halili. Dasmën time e bëra këtu, një miks midis dasmës tiranase, nigeriane dhe filipinase. Kishte edhe këngë shqiptare në dasmën time.egbo
Normal që u luajt edhe kënga e Tironës, nuk ka shans të bëhet dasmë pa këngën e Tironës. Në fillim kisha një marrëdhënie me një vajzë tiranase, por nuk funksionoi. E ndërpremë dhe unë vazhdova rrugën time. Shpresojmë të marrim edhe Kupën e Shqipërisë, është 100-vjetori i klubit. Është një objektiv që e kemi vendosur. Do jetë diçka e veçantë për lojtarët dhe klubin nëse e marrim Kupën. Nuk e nënvlerësoj Teutën, por Tirana është klubi më i madh në Shqipëri. Do mbesim si legjenda nëse ia dalim, këtë kam tentuar t’i fus në mendje lojtarëve.
Jeta e natës? Kam qenë njeri që kam mbajtur shumë regjim. Trupi është mësuar, fle herët dhe zgjohem herët. Shkoj në palestër, trajneri duhet të stërvitë vetën në fillim, pastaj lojtarët. Në lagjen ku banoj kam shumë mikpritje, njerëzit janë të dashur. Të gjithë shqiptarët kanë qenë si familja ime e dytë.
Mendimet më vijnë në shqip. Lexoj dhe shkruaj shqip. Kam shumë vullnet, kudo që kam luajtur kam dashur ta mësoj gjuhën. Kam mësuar edhe arabisht kur isha në Egjipt. Dua të flas sa më shumë gjuhë. Ka disa fjalë që nuk i shqiptoj, nuk është gjuha e nënës. Si fjala dhe, ose fjalë të tjera që nuk i shqiptoj dot.egbo
E kam thënë shpesh, ka miliona njerëz shqiptarë që janë dashamirës. Ka njerëz të mirë por edhe të këqinj, njësoj si në Nigeri. Një njeri me ngjyrë si unë mund të shpjegojë racizmin. Mund të jetë 5%, 20%, është për t’u diskutuar. Normalisht që ka racizëm në Shqipëri. Do gënjeja nëse thoja që nuk ka.
Kam pasur shumë mundësi, por nuk e tregoj se çfarë ka ndodhur, si në rrjetet sociale dhe në rrugë. Më kanë hedhur banane, më kanë pështyrë në ndeshje. Janë një pjesë e vogël, por shumica e shqiptarëve janë të mrekullueshëm.
Kombëtarja e Shqipërisë? I kam parë shumicën e ndeshjeve, e kam kënduar edhe himnin. E di himnin shqiptar. Duhet ta dish historinë, himnin, liderët politikë, kur merr nënshtetësinë e atij vendi. Bebi? Do i vë emër të krishterë.”, u shpreh Egbo.