Shkëndija është kualifikuar në raundin e dytë të Europa League.
Klubi tetovar mposhti klubin nga Azerbajxhani, Sumqayiti, me rezultat 0-2.
Ishte Ibraimi me penallti ai që i dha epërsinë Shkëndijës.
Kurse golin e fundit dhe të qetësisë e shënoi Doriev në minutën e 89, po nga penalltia.
Rreth 30 kilometra më larg, në kryeqytetin azer Baku, skuadra tjetër shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Shkupi i dha fund aventurës europiane, pasi u mposht me rezultatin 2-1 nga Inter Baku dhe u eliminua që në turin e parë.
Skuadra simbol i pjesës shqiptare të kryeqytetit të Maqqedonisë së veriut, Shkupit, rezistoi mirë deri në minutën e 67’, por më pas pësoi dy gola dhe në fund gjeti rrjetën me Darboe, por gjithçka vlejti vetëm për sodisfaksion personal të futbollistit.
Numrin e skuadrave shqiptare që do të luajnë në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës e shtoi edhe ekipi tjetër i Maqedonisë së Veriut, Renova. Skuadra që përfaqëson Xhepçishtin, një lokalitet shqiptar pranë Tetovës, ia doli të triumfojë me rezultatin minimal 0-1 në transfertën ndaj armenëve të Aleshkert.
Një gol i mbrojtësit Mishkovski në minutën e 56’ të ndeshjes vulosi kualifikimin për Renovën, që bëhet kështu skuadra e pestë shqiptare në turin e dytë eliminator të Europa Leagues, pas Tiranës, Teutës, Dritës e Shkëndijës, ndërsa numri mund të rritet edhe më shumë deri në mbrëmje.