Zlatan Ibrahimovic ka thënë se është rikthyer te Milan sepse ndjehet si në shtëpi, duke shtuar se do të punojë për të arritur synimet e ‘Rossonerëve’.
Pasi u kthye te Milan në janar, suedezi bëri një ndikim të madh në skuadër dhe klubi bëri gjithçka që mundi për të rinovuar kontratën me 38 vjeçarin.
“Unë gjithmonë jam ndjerë pjesë e Milanit, edhe kur kam luajtur me ekipe tjera”, ka deklaruar Ibrahimovic.
“Ata gjithmonë më trajtonin mirë që nga dita e parë. Kur arrita për herën e parë në Milano, unë buzëqesha. Diçka që nuk e kam bërë kurrë më parë në punën time. Ndihem si në shtëpinë time dhe nuk ndihem sikur kam qenë larg ndonjëherë”.
Suedezi shtoi se pavarësisht fundit të mirë që patën në sezonin e kaluar, ata nuk kanë fituar asgjë, dhe se në sezonin e ri, duhet ta bëjnë atë.
“Nuk duhet të harrojmë se nuk kemi fituar asgjë. Në kohën time, qëllimi është gjithmonë të fitoj diçka. Këtë sezon duhet të fitojmë”.