Pas barazimit 2-2 me Arsenalin, Manchester City ka shprehur zyrtarisht pakënaqësinë për disa nga vendimet e gjyqtarëve gjatë ndeshjes.
Klubi anglez njoftoi se të hënën do t’i drejtohet PGMOL-it, organizatës përgjegjëse për gjyqtarët profesionistë. City kërkon shpjegime të plota për vendimet e kundërshtuara, përfshirë mënyrën se si u përdor VAR-i.
Të lidhura
None found
Një nga rastet që ka shkaktuar reagimin ndodhi në minutat e fundit. Manchester City pretendoi për penallti pas një prekjeje të topit me dorë nga Viktor Gyokeres, por gjyqtari lejoi vazhdimin e lojës. Vendimi mbeti në fuqi edhe pas kontrollit nga VAR-i.
Në reagimin e tij, klubi u shpreh shumë i zhgënjyer me një sërë vendimesh të gjyqtarëve në ndeshjen kundër Arsenalit. City bëri të ditur se nga PGMOL-i do të kërkojë sqarime si për vendimmarrjen në fushë, ashtu edhe për zbatimin e sistemit VAR.
Manchester City tha se pret një përgjigje të detajuar dhe se do të vijojë të përfaqësojë e të mbrojë interesat e klubit, futbollistëve dhe tifozëve të tij.
Pas këtij barazimi, Man City mbetet gjashtë pikë pas Arsenalit, që kryeson Ligën Premier.





