Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar për dhunën fizike ndaj dy punonjësve të Higjienës Komunale në Shkup. Ngjarja ka ndodhur në orët e para pas mesnatës, pasi kishin përfunduar aktivitetet festive.
Iseni e ka cilësuar ngjarjen si rast të izoluar. Ai bëri të ditur se, sipas deklarimeve të dy të sulmuarve, personat që i goditën janë prezantuar si “Komitë”. Sipas tij, ka dyshime serioze për motive etnike, të cilat do të shqyrtohen me përparësi gjatë hetimit për zbardhjen e plotë të rastit.
Të lidhura
None found
Zëvendësministri theksoi se është e papranueshme që njerëzit të sulmohen për përkatësinë e tyre etnike teksa kryejnë punën. Ai sqaroi se ngjarja fillimisht nuk ishte raportuar në polici dhe se as institucioni shëndetësor ku të lënduarit kërkuan ndihmë nuk kishte dërguar njoftim. Pasi viktimat e paraqitën vetë rastin në Stacionin Policor “Karposh”, SPB Shkup dhe ky stacion nisën menjëherë veprimet e nevojshme hetimore. Janë siguruar edhe dëshmitarë që do të ndihmojnë në sqarimin e plotë të ngjarjes.
Iseni u shpreh se rasti nuk do të mbetet pa epilog. Sipas tij, të gjitha kapacitetet e nevojshme policore dhe hetimore do të vihen në dispozicion për të identifikuar autorët dhe për të përcaktuar të gjitha rrethanat. Kushdo që rezulton i përfshirë në sulm, tha ai, do të përgjigjet para ligjit.
Ai shtoi se dhuna me motive etnike nuk do të tolerohet dhe se për dhunuesit nuk do të ketë amnisti. Iseni theksoi se nuk do të lejohet që frika të bëhet pjesë e përditshmërisë së qytetarëve që duan të punojnë e të jetojnë të qetë, ndërsa autorët do të identifikohen dhe ndëshkohen.







