Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas dhunimit të dy punonjësve shqiptarë të Higjienës Komunale në Shkup. Sipas portalit Pa Censurë, ata u rrahën brutalisht natën e 28 Nëntorit nga një grup personash që u prezantuan vetë si komitë.
BDI vlerëson se rrethanat e sulmit ngrenë dyshime serioze për motiv etnik: autorët i pyetën fillimisht punonjësit nëse ishin shqiptarë dhe më pas i goditën, megjithëse ata mbanin uniformat e punës.
Të lidhura
None found
Partia e cilëson ngjarjen të papranueshme për një shtet multietnik, ku siguria dhe barazia duhet të garantohen për çdo qytetar pa dallim. Ajo kërkon përgjegjësi institucionale nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Në reagimin e saj, BDI kërkon identifikimin e të gjithë pjesëtarëve të grupit që morën pjesë në sulm, hetim të plotë e profesional të motiveve, përfshirë dyshimet për motiv etnik, si dhe nisjen e procedurave përkatëse dhe ndëshkimin e përgjegjësve. Partia kërkon gjithashtu që MPB-ja të sqarojë publikisht masat që ka marrë dhe po merr për sigurinë e qytetarëve, duke theksuar se shqiptarët nuk duhet të kenë frikë të punojnë, të jetojnë apo të lëvizin të sigurt në kryeqytetin e vendit të tyre.







