Gjatë periudhës 12-javore të rikuperimit nga dëmtimi muskulor, Jamal Musiala ka përjetuar vetëm dy episode neurologjike, edhe pse shqetësimet për shëndetin e tij janë rritur dhe ai është kritikuar publikisht nga drejtuesit e Bayern Munichut.
Sipas mediumit gjerman TZ, këto të dhëna të reja kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si klubi bavarez po e trajton situatën e 23-vjeçarit, veçanërisht pas deklaratave kontroverse të ish-drejtuesit Karl-Heinz Rummenigge për gjendjen e tij shëndetësore dhe kontratën e lartë.
Të lidhura
None found
Rummenigge kishte vënë në dyshim arsyeshmërinë e kontratës së Musialës, duke u bazuar te problemet e tij neurologjike.
“Më vjen keq, por me gjithë respektin, kjo kontratë nuk mund të justifikohet më”, kishte thënë ai, duke shtuar gjithashtu dyshime nëse ndonjë klub tjetër do të ishte i gatshëm ta transferonte reprezentuesin gjerman në rrethanat aktuale.
Këto komente u bënë pikërisht në ditën kur Musiala u rikthye në fushë, duke luajtur 20 minuta pas dëmtimit muskulor. Rummenigge kishte shprehur po ashtu shqetësimin se çfarë do të ndodhte nëse mesfushori nuk do të arrinte të rifitonte nivelin e tij më të mirë.
Sipas raportimit, episodi i fundit neurologjik i Musialës ndodhi të hënën e kaluar, në të njëjtën ditë kur u zhvillua mbledhja e bordit mbikëqyrës të Bayernit.
Ndërkohë, mjekimi që fillimisht ishte konsideruar i përshtatshëm pas dy rrëzimeve të tij në fushë gjatë këtij sezoni, tani po rregullohet sërish, pasi mjekët po përpiqen të gjejnë dozën e duhur.
Përfaqësuesit e futbollistit raportohet se janë në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e Bayernit për këtë çështje, ndërsa bisedimet po zhvillohen në mënyrë diskrete dhe profesionale.
Nga ana tjetër, drejtori sportiv Max Eberl e mbrojti publikisht Musialën, duke deklaruar: “Jamal është një qenie njerëzore”.
Presidenti Herbert Hainer gjithashtu këmbënguli se klubi do t’i ofrojë futbollistit të gjithë mbështetjen dhe kohën e nevojshme për rikuperim, ndërsa drejtori ekzekutiv Jan-Christian Dreesen u shpreh se kontrata e tij nuk ka nevojë të diskutohet më tej para fundit të vitit.
Në mbrojtje të Musialës doli edhe sindikata botërore e futbollistëve, FIFPRO, e cila kritikoi deklaratat publike të drejtuesve të Bayernit, duke theksuar se klubi ka detyrim të kujdeset për futbollistin.
Sindikata i cilësoi këto komente si një strategji për të ushtruar presion ndaj Musialës dhe përfaqësuesve të tij në prag të negociatave të mundshme për kontratën.




