Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Medias, diskutoi me përfaqësues të Organizatës së Kombeve të Bashkuara shqetësimet për veprimet e policisë gjatë protestave dhe mënyrën si trajtohen qytetarët në komisariate.
Në takim, ajo vuri në dukje përdorimin e forcës, shoqërimet në polici dhe garantimin e të drejtave të të miturve e personave me aftësi të kufizuara. Tabaku i mbështeti shqetësimet te rastet që, së bashku me kolegë të PD-së, kishte vëzhguar gjatë disa ditëve të vizitave në Bllokun e Sigurisë, ku takuan protestues të arrestuar.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave të paraqitura nga deputetja, në polici janë shoqëruar mbi 1 000 persona, përfshirë 250 të mitur. Ajo tha se në shumicën e rasteve të miturit janë detyruar të nënshkruajnë dokumente pa praninë e prindërve ose të një psikologu, duke ngritur pikëpyetje për respektimin e të drejtave të tyre.
Tabaku ngriti gjithashtu shqetësimin për persona me aftësi të kufizuara që, sipas saj, janë arrestuar dhe mbajtur në qeli në kundërshtim me ligjin.


Lidhur me ndërhyrjet policore në protesta, ajo denoncoi përdorimin e plumbave të gomës në drejtim të fytyrës së protestuesve, si dhe përdorimin e tepruar dhe pa dallim të gazit ndaj qytetarëve.
Deputetja deklaroi se ligji i qeverisë për tubimet bie ndesh me konventat për të drejtat e njeriut dhe Kushtetutën e Shqipërisë.








