Pas përfundimit të mandatit si drejtues i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Afrim Qendro ka publikuar një mesazh falënderimi, ku ka bërë bilancin e nëntë muajve në krye të institucionit.
Gjatë reagimit të tij, Qendro përmendi riorganizimin e burimeve njerëzore, përpjekjet për përmirësimin e imazhit të IKMT-së, masat ndaj ndërtimeve të paligjshme, bashkëpunimin me ARRSH-në për hapjen e kantiereve dhe pastrimin e rrugëve.
Të lidhura
None found
Ai veçoi edhe punën për rritjen e sigurisë në kantieret e ndërtimit, duke nënvizuar se në periudhën kur drejtoi IKMT-në nuk u shënuan ngjarje tragjike në këto ambiente.
Një tjetër fokus, sipas tij, ishte shqyrtimi i ankesave të qytetarëve, përfshirë problematikat e mbartura prej vitesh dhe të mbetura deri atëherë pa zgjidhje.
Qendro deklaroi se e përfundon detyrën me respekt për institucionin dhe me kënaqësinë se gjatë nëntë muajve u ndërmorën hapa konkretë dhe u përcaktuan objektiva të qarta. Ai theksoi se proceset e nisura duhet të vazhdojnë edhe pas largimit të tij.
Mesazhi i plotë i Afrim Qendros:
“Një falënderim i përzemërt për të gjithë!
Pas nëntë muajsh në drejtimin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, dua të shpreh mirënjohjen time ndaj të gjithë atyre që më besuan, më qëndruan pranë dhe u angazhuan në rrugëtimin tonë të përbashkët në këtë institucion.
Kjo ishte një periudhë e ngjeshur, e shoqëruar me sfida, përgjegjësi të shumta dhe punë të vazhdueshme. Megjithatë, ajo u karakterizua mbi të gjitha nga rezultate konkrete, të cilat besoj se kanë ndikuar në mënyrën e funksionimit dhe në drejtimin e ardhshëm të IKMT-së.
Që në fillim, objektivi im ishte ndërtimi i një IKMT-je më profesionale, më të efektshme dhe më të afërt me qytetarët. Për këtë arsye, ndër hapat e parë ishte riorganizimi i burimeve njerëzore, në mënyrë që arsimi, përvoja dhe profili i secilit punonjës të lidhej sa më mirë me detyrën dhe përgjegjësitë që mbante. Institucionet e qëndrueshme, sipas bindjes sime, krijohen kur njerëzit e duhur vendosen në pozicionet e duhura.
Një pjesë e rëndësishme e punës sonë ishte edhe ndryshimi i imazhit të IKMT-së dhe forcimi i rolit të tij në mbrojtjen e territorit, mjedisit dhe pyjeve. Qëndruam të palëkundur ndaj ndërtimeve të paligjshme, ndërsa bashkëpunuam me ARRSH-në për hapjen e kantiereve, avancimin e projekteve publike dhe pastrimin e akseve rrugore. Zhvillimi dhe respektimi i ligjit duhet të ecin gjithmonë paralelisht.
Siguria në kantieret e ndërtimit ishte një tjetër çështje që mori vëmendje të veçantë. Monitorimi më i madh, kontrollet e shpeshtuara dhe kërkesa për zbatimin e standardeve të sigurisë ishin pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm, me synim kryesor mbrojtjen e jetës së punonjësve. Gjatë kësaj periudhe nuk pati ngjarje tragjike në kantieret e ndërtimit, një rezultat që na jep kënaqësi, pasi pas çdo kontrolli dhe çdo mase të ndërmarrë qëndron siguria e një jete njerëzore.
Trajtimi i ankesave të qytetarëve ishte po ashtu një prioritet i rëndësishëm. Synuam që IKMT të mos kufizohej vetëm në ushtrimin e kontrolleve, por të ishte edhe një institucion që dëgjon qytetarët dhe u kthen përgjigje. Përveç ankesave të reja, po trajtohen edhe shumë raste të mbledhura ndër vite, të cilat kishin mbetur për një kohë të gjatë pa zgjidhje. Kjo tregon përgjegjësinë që një institucion publik duhet të mbajë ndaj qytetarëve.
Asnjë nga këto përpjekje dhe rezultate nuk do të ishte arritur pa ndihmën dhe bashkëpunimin e shumë personave.
Falënderoj veçanërisht Kryeministrin Edi Rama për besimin dhe mundësinë që më dha për të drejtuar këtë institucion, duke kontribuar në një detyrë me rëndësi dhe përgjegjësi të lartë publike.
Mirënjohjen time të sinqertë e shpreh edhe për Zëvendëskryeministren Albana Koçiu, për mbështetjen dhe bashkëpunimin, si dhe për Besfort Lamallarin dhe Ervin Demon, ministrat me të cilët punova gjatë kësaj periudhe dhe me të cilët pata komunikim e bashkëpunim institucional.
Falënderimi kryesor shkon për punonjësit e IKMT-së, gra dhe burra, me të cilët përballuam sfida, ndamë përgjegjësi dhe punuam çdo ditë për zhvillimin e institucionit. Secili prej jush ka dhënë kontributin e tij dhe rezultatet e arritura janë kryesisht meritë e punës suaj. Ju jam mirënjohës për përkushtimin, seriozitetin dhe bashkëpunimin.
E përfundoj këtë detyrë me respekt për institucionin, me mirënjohje ndaj bashkëpunëtorëve dhe me kënaqësinë se gjatë nëntë muajve arritëm të realizojmë punë konkrete, të përcaktojmë prioritete të qarta dhe të krijojmë bazat për një IKMT më të mirë.
Besoj fort se puna e mirë nuk duhet të ndërpritet kur largohet një drejtues. Ajo duhet të vijojë, të forcohet dhe të mbështesë më tej standardet e vendosura.
Uroj që nismat e mira të vazhdojnë me të njëjtin përkushtim dhe që IKMT të vijojë ta përmbushë me dinjitet misionin e tij në zbatim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe në mbrojtje të territorit e mjedisit. Ky është një nga kapitujt më të rëndësishëm në negociatat me Bashkimin Europian.
Faleminderit të gjithë atyre që ishin pjesë e këtij rrugëtimi!
Mirënjohje dhe respekt!”








