Fotografitë dhe videot me përmbajtje abuzimi seksual ndaj fëmijëve, të prodhuara me inteligjencë artificiale, janë shtuar me më shumë se 8,400% brenda vetëm dy vjetësh. Këtë e tregon një studim ndërkombëtar i studiuesve të Institutit Global të Sigurisë së Fëmijëve Childlight, pranë Universitetit të Edinburgut në Skoci, i cili evidenton përhapjen e fenomenit në mbarë botën.
Nga viti 2023 deri në vitin 2025, numri i rasteve të raportuara në nivel global u rrit me të paktën 395,300, sipas studimit. Materialet e këtij lloji të raportuara nga kompanitë amerikane në Qendrën Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar ishin rreth 4,700 në vitin 2023, ndërsa në vitin 2025 kaluan 400 mijë.
Të lidhura
None found
Një pjesë e këtij fenomeni lidhet me teknologjinë deepfake dhe aplikacionet për manipulimin e fotografive. Përmes tyre, fytyra ose trupi i një fëmije real mund të vendoset në materiale me përmbajtje seksuale, një ndërhyrje që mund të kryhet brenda pak sekondash.
Edhe kur pamjet nuk dokumentojnë ngjarje të vërteta, dëmi për fëmijët mund të jetë real dhe shkatërrues. Studiuesit paralajmërojnë se materiale të tilla mund të shërbejnë për shantazh, zhvatje parash ose për t’i detyruar viktimat të dërgojnë fotografi e video të tjera reale.
Rreziku i manipulimit të fotografive nuk kufizohet te fëmijët e zakonshëm. Sipas autorëve të studimit, edhe imazhet e personazheve të njohur mund të përdoren për të prodhuar materiale të rreme me përmbajtje seksuale.
Studimi trajton edhe përmasat më të gjera të shfrytëzimit seksual të fëmijëve në internet. Sipas vlerësimeve të tij, më shumë se 300 milionë fëmijë në mbarë botën përjetojnë të paktën një formë shfrytëzimi seksual të lehtësuar nga teknologjia. Gjithashtu, vlerësohet se një në katër fëmijë mund të përjetojë një formë abuzimi para moshës 18 vjeç.
Kërkimi nxjerr në pah edhe mungesën e statistikave të plota e të besueshme. Mes 103 vendeve të shqyrtuara në tre rajone të botës, vetëm 22 kishin të dhëna gjithëpërfshirëse për abuzimin ndaj fëmijëve, si në internet, ashtu edhe jashtë tij.
Instituti Childlight vëren se në statistikat publike nuk pasqyrohen mjaftueshëm disa nga grupet më të cenueshme: fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët indigjenë dhe emigrantë, ata nën kujdesin e shërbimeve sociale, fëmijët shumë të vegjël dhe fëmijët që abuzohen nga anëtarë të familjes.
Sipas studiuesve, mungesa e informacionit të plotë vështirëson hartimin e politikave efektive për parandalimin e abuzimit dhe mbrojtjen e të miturve. Ndërkohë, zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale e bën përballjen me këtë problem global gjithnjë e më urgjente.






