Nga IRENA BEQIRAJ
Fjalimi i një socialisti pa emër në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste
Të lidhura
None found
Të dashur shokë dhe shoqe,
Duhet pak guxim për të marrë fjalën para kësaj Asambleje. Jo sepse dikush ta ndalon: këtu mund të flasësh lirisht, për sa kohë fjala nuk shkon deri te liria për të menduar ndryshe.
Sipas traditës, fillimisht dua të falënderoj Kryetarin për fjalimin e radhës, po aq të jashtëzakonshëm sa të tjerët. Mendimet e tij bëjnë një rrugë të gjatë, ndërsa përfundimi, në rast se ka një të tillë, i lihet interpretimit.
E ndoqa me gjithë vëmendjen që i takon një socialisti të vërtetë. Kryetari foli gjatë; në këtë drejtim, rivalitet mund t’i bëjnë vetëm gratë. Ato janë të shumta në parti e në qeveri, por në këto forume rrallë u jepet mundësia të thonë shtatë fjalë rresht. Gjithsesi, le të kthehem te tema. Dëgjuam për Europën, sukseset ekonomike, protestën, sfidat dhe opozitën. Nuk mungoi as drejtësia, ajo për të cilën ndihemi krenarë. Për një moment mendova, me naivitet, se do të prekej edhe kriza e rëndë që hetimet kanë shkaktuar brenda nesh. Me sa duket, ajo nuk ishte pjesë e rendit të ditës.
Mjafton të na shohësh në fytyrë për të kuptuar se pjesëmarrja në forumet e kësaj partie të jep ndjesinë e një lloj vdekjeje. Nuk e kam vendosur ende nëse është më mirë të flasësh e të vdesësh, apo të heshtësh e të shuhesh pak nga pak.
Disa prej nesh nuk thonë asgjë, sepse nuk kanë asgjë për të thënë. Të tjerë kanë shumë për të shprehur, por e matin çdo fjalë, të vetëdijshëm se çmimi i një fjalie mund të jetë më i lartë se humbja e karrierës.
Ka edhe të vjetër që, pasi nuk janë dëgjuar për aq gjatë, kanë hequr dorë edhe nga të menduarit. Fatkeqësisht, heshtja nuk e zhduk atë që mbetet pa u thënë. Përkundrazi, e mbledh derisa kthehet në ankth, zhgënjim e hidhërim dhe, më në fund, në vetëshkatërrim.
Deri më sot i kemi bërë ballë këtij vetëshkatërrimi duke u shndërruar në një parti që, në pamje të parë, nuk i trembet së vërtetës. Marrëdhënia jonë me të është, në fakt, tepër e kujdesshme: mund të thuhet, por vetëm pasi të jetë zgjedhur çasti, vendi dhe, sidomos, se kush do ta dëgjojë.
Në dreka, kafene apo mes miqsh, nuk i kursejmë të vërtetat për njëri-tjetrin. Atje guximi na tepron: ankohemi, shajmë dhe kritikojmë pa kursyer as Kryetarin. Në fund të fundit, pas shpine flasin edhe për mbretin.
Pastaj lëmë kafenetë dhe futemi në sallat e mbledhjeve. Aty ndodh çudia: pikëpamjet e ndryshme shkrihen në një të vetme, kurse e vërteta lihet mënjanë të plaket e qetë.
Kur pyetjet bëhen në publik, për korrupsionin përgjigjemi se po e luftojmë. Për përgjegjësinë sqarojmë se ajo i përket individit. Për partinë kujtojmë se qëndron mbi çdo individ.
Por nëse dikush pyet përse disa individë janë ngritur mbi partinë dhe e kanë përdorur shtetin si pronë private, zgjedhim fjalët me kujdes. Nuk qenka çasti për të hapur telashe.
Të dashur shokë dhe shoqe,
Pas 13 vitesh në pushtet, dua të përmend edhe një arritje tjetër, ndoshta atë që meriton kremtimin më të madh: unitetin.
Uniteti në partinë tonë ka arritur një shkallë të tillë përsosmërie, sa diskutimet janë bërë të panevojshme. Në kohën kur partia ishte, siç e quan Kryetari ynë, një bordello, flisnim për ideologjinë, programin dhe rrugën që duhej të merrte vendi. Kishim debate e kundërshti, ndonjëherë edhe ide. Ishte e vështirë, sepse askush nuk ishte krejt i sigurt se çfarë duhej të mendonte.
Ajo periudhë e hershme e demokracisë së brendshme tashmë është pas nesh. Shumësinë e ideve e kemi zëvendësuar me një shumësi formulimesh për të njëjtën ide. Tani bisedojmë vetëm për mënyrën se si ta shprehim, me fjalët tona, mendimin e Kryetarit.
Nuk është pak kjo që kemi arritur. Komunikimi ynë funksionon në mënyrë të përsosur: ai flet dhe ne dëgjojmë; ai merr vendimin dhe ne e përkrahim; ai shpjegon pse ka pasur të drejtë dhe ne habitemi që kjo mund të jetë vënë ndonjëherë në dyshim. Kështu shmangim diskutimet e tepërta, fitojmë kohë dhe i bëjmë mbledhjet shumë më efikase.
Bashkë me këtë përparim kemi përsosur edhe duartrokitjet. Nuk është e nevojshme të kuptojmë gjithçka që është thënë; mjafton të dimë çastin kur duhet të përplasëm duart. Është një mjeshtëri që vjen nga përvoja, e njerëz me përvojë kjo parti ka plot.
Sigurisht, ekzistojnë edhe disa shqetësime të vogla, por s’ka pse t’u japim përmasa dramatike.
Marrim karrierën, për shembull. Merita nuk e përcakton gjithmonë: shpesh vlejnë edhe durimi, maturia dhe zotësia për të mos bërë pyetjen e gabuar në kohën e gabuar.
Të jesh i aftë në partinë tonë nuk mjafton; duhet edhe t’i përshtatesh asaj. Edhe kontributet nuk janë gjithçka: ajo që ke dhënë dikur nuk të siguron domosdoshmërisht të drejtën të shprehësh sot një mendim.
Tekefundit, kemi pranuar të gjithë se për partinë askush nuk bëhet i rëndësishëm apo i pazëvendësueshëm, nëse më parë nuk është i tillë për Kryetarin.
Prej kësaj ka lindur një meritokraci më vete. Merita kryesore nuk matet me atë që ke bërë për partinë, por me atë që Kryetari beson se mund të bësh për të.
Po ju shoh të lodhur dhe jo me entuziazmin që keni zakonisht, ndaj po e përfundoj me vendin ku jemi mbledhur. Nuk është rastësi që Asambleja mbahet në Gjirin e Lalzit. Deti të duket vendi më i mirë për të hedhur gjërat që nuk do t’i mbash në breg. Por unë jam rritur pranë tij dhe e di një zakon të pakëndshëm që ka: herë pas here, kthen në breg pikërisht ato gjëra që mendonim se i kishte fundosur.
Faleminderit!








