Shtatë specie të kafshëve të egra janë regjistruar në mjedisin e tyre natyror në Parkun Kombëtar të Shebenikut, përmes kamerave kurth të instaluara nga specialistët e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura në Elbasan. Mes kafshëve të filmuara janë ariu i murrmë dhe rrëqebulli i Ballkanit, i cili bën pjesë ndër gjitarët më të rrallë në botë.
Siç raporton gazetari Fatmir Popja, regjistrimet e monitorimit kanë kapur edhe kaprollin, sorkadhen, kunadhen, derrin e egër dhe baldosën. Kjo larmi speciesh pasqyron pasurinë biologjike të zonës së mbrojtur, ndërsa evidentimi i tyre jep të dhëna të rëndësishme mbi gjendjen e habitateve natyrore dhe dëshmon për një ekosistem me jetë të pasur të egër.
Të lidhura
None found
Të dhënat e mbledhura tregojnë se në park është shtuar edhe numri i individëve të faunës së egër të regjistruar. Në këtë kuadër, rëndësi të veçantë merr dokumentimi i rrëqebullit të Ballkanit. Kjo specie e rrezikuar ka një rol të veçantë për biodiversitetin rajonal dhe mbijetesa e saj varet ngushtësisht nga mbrojtja e hapësirave të mëdha pyjore.
Pjesë e regjistrimeve është gjithashtu ariu i murrmë, që renditet mes gjitarëve më të mëdhenj të ekosistemeve pyjore. Përmes vëzhgimit të pandërprerë synohet të sigurohen njohuri më të plota për praninë dhe shpërndarjen e kafshëve të egra, duke i shërbyer njëkohësisht mbrojtjes së tyre.
Materialet e mbledhura nga kamerat kurth riafirmojnë pasurinë e jashtëzakonshme natyrore të Parkut Kombëtar të Shebenikut dhe rëndësinë e tij si një prej zonave që kontribuojnë në ruajtjen e biodiversitetit në Shqipëri.





