Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë po shqyrtohet nga Komisioni parlamentar për Legjislacion, me synimin që miratimi i tij të kalojë në “procedurën e përshtatshme”.
Blerta Deliu, anëtare e komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se mbledhja u thirr për të shqyrtuar vendimin e Presidentes Justina Shiroka Pula për kthimin e ligjit në Kuvend.
Të lidhura
None found
Sipas Deliut, PDK-ja ka zhvilluar negociata me Lëvizjen Vetëvendosje për mënyrën e trajtimit të ligjit. Palët janë pajtuar që ai të miratohet, por nuk kanë arritur marrëveshje për ndryshimin e tij.
Ajo shpjegoi se ka pasur qëndrime të ndryshme rreth Rregullores së Kuvendit: PDK-ja ka vlerësuar se ligji mund të amendohet në këtë fazë, ndërsa shumica parlamentare ka konsideruar se kjo nuk lejohet.
Për këtë arsye, sipas Deliut, ligji duhet t’i përcillet Kuvendit për miratim pa ndryshime. Ajo tha se më pas do të nisë një proces i ri për amendamentimin e tij.
Deliu sqaroi se versioni aktual i ligjit do të rivotohet sot. Për miratimin e tij dhe rrëzimin e vetos së Presidentes nevojiten 61 vota, tha ajo.








