Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, kanë mbërritur në Moskë për një takim me presidentin rus Vladimir Putin. Vizita vjen pas dy ditësh negociatash në Abu Dabi, ku përfaqësues të SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës shqyrtuan mundësitë për t’i dhënë fund luftës.
Më 12 nëntor, në aeroportin Vnukovo të Moskës, ata u pritën nga Kirill Dmitriev, një zyrtar i lartë rus i përfshirë në bisedimet me Uashingtonin.
Të lidhura
None found
Për Witkoffin, kjo është vizita e dhjetë në Rusi për bisedime me Putinin në kuadër të përpjekjeve për një marrëveshje paqeje. Ai dhe Kushner janë ndër negociatorët kryesorë amerikanë për përfundimin e luftës, çështje që presidenti Donald Trump e ka renditur mes përparësive të politikës së jashtme që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025.
Pas bisedimeve me Putinin, dy të dërguarit pritet të shkojnë në Dublin për t’u takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Ai ka mbërritur më herët në Irlandë për një takim me udhëheqës evropianë.
Takimet e 10 dhe 11 nëntorit në Abu Dabi duket se nuk kanë prodhuar shumë rezultate. Ndonëse palët po bëhen gati për një shkëmbim të madh të të burgosurve, nuk është shënuar përparim i dukshëm drejt një marrëveshjeje paqeje.
Zyrtarët amerikanë i cilësuan negociatat të vështira, por produktive. Sidoqoftë, Moska dhe Kievi vazhdojnë të kenë dallime të mëdha dhe Kremlini nuk ka treguar gatishmëri për të hequr dorë nga kërkesat e veta.
Vladimir Medinsky, kryenegociatori rus që ka drejtuar edhe bisedimet me Ukrainën në vitet 2022 dhe 2025, deklaroi se një shkëmbim territoresh në kuadër të marrëveshjes së paqes është i papranueshëm.
Prej vitesh, Rusia kërkon që çfarëdo marrëveshjeje t’i sigurojë kontrollin e plotë të rajonit të Donjeckut, në lindje të Ukrainës. Forcat ruse nuk kanë arritur ta pushtojnë të gjithë rajonin, ndërsa mosmarrëveshja për territoret mbetet ndër pengesat kryesore për paqen.
Zelensky u shpreh se shpreson për rezultate konkrete nga bisedimet deri në fund të këtij viti. Sipas tij, ecuria e negociatave do të varet në masë të madhe nga qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë.
Ukraina po hyn në dimrin e pestë të luftës. Sulmet e pandërprera ruse po lënë mijëra njerëz pa energji elektrike dhe ngrohje. Duke iu referuar sulmeve masive, Zelensky tha se dëshiron rezultate deri në fund të vitit dhe se do të bëjë gjithçka për t’i arritur ato.
Kievi ka kërkuar vazhdimisht më shumë presion mbi Moskën, me argumentin se kjo është mënyra e vetme për ta shtyrë Rusinë drejt negociatave serioze për përfundimin e luftës. Administrata Trump, nga ana tjetër, ka ndjekur një qasje më të butë ndaj Moskës: së fundmi ka lehtësuar disa sanksione ndaj Rusisë, ka arritur një marrëveshje për naftën dizel dhe i ka kërkuar Ukrainës të mos godasë rafineritë ruse të naftës.
Në takimin e tij të fundit me Putinin, në tetor, Witkoff e përshkroi presidentin rus si “humanitar” pas lirimit nga burgu të shtetasit amerikan Stephen Hubbard nga Rusia. Lirimin e Hubbardit ai e quajti gjest të vullnetit të mirë.
Ndërkohë, sulmet mes Rusisë dhe Ukrainës vijuan edhe më 12 nëntor, kur të dërguarit amerikanë mbërritën në Moskë.
Autoritetet ukrainase njoftuan se në Kiev u dëgjuan shpërthime dhe u vra të paktën një person. Një tjetër person humbi jetën në rajonin jugor të Hersonit, kurse në rajonin perëndimor të Rivnes sulmet dëmtuan infrastrukturën civile dhe energjetike.
Nga ana e tyre, autoritetet ruse thanë se kishin rrëzuar dronë që po fluturonin drejt Moskës dhe mbi rajone të tjera, mes tyre Rostovi dhe Tula.







