Në një intervistë për gazetën franceze “Le Monde”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Prishtina synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian përmes një procesi të drejtë, të bazuar në meritë. Ai identifikoi Sllovakinë si shtetin që po i reziston më së shumti përparimit evropian të Kosovës.
Kurti e nisi bisedën, të zhvilluar në Paris të martën, më 10 nëntor, duke thënë se agresioni rus kundër Ukrainës po e rikthen historinë në skenën globale me një forcë të paparë në këtë shekull. “Le Monde” e përshkroi 51-vjeçarin, në detyrë si kryeministër që nga viti 2021, si të qetë dhe pa shenja nervozizmi.
Të lidhura
None found
Gjatë qëndrimit treditor në Paris, Kurti do të marrë pjesë në Forumin e nëntë të Parisit për Paqen. Në axhendë ka edhe dy takime me presidentin francez Emmanuel Macron: një bisedë kokë më kokë në Pallatin e Elizesë dhe, të mërkurën, një takim me delegacionet e të dyja vendeve.
Kosova nuk ka fituar ende statusin e vendit kandidat për në BE. Pavarësinë e saj nuk e njohin pesë shtete të unionit: Spanja, Qiproja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia. Kurti tha se kundërshtimi më i madh vjen nga Sllovakia. Sipas “Le Monde”, kryeministri i saj, Robert Fico, nuk e fsheh afërsinë ideologjike me presidentin rus Vladimir Putin dhe ish-kryeministrin hungarez Viktor Orban. Gazeta vëren gjithashtu se Fico u shfaq së fundmi krah Aleksandar Vuçiqit, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të tetorit në Serbi.
Sipas Kurtit, Kosova është i vetmi vend evropian i përkushtuar ndaj zgjerimit që ende nuk e ka marrë statusin kandidat. Pas liberalizimit të vizave për zonën Shengen tre vjet më parë, Prishtina synon të ecë drejt fazës së radhës, pa kërkuar përjashtime në trajtim.
“Nuk kërkojmë rrugë të shkurtra, procedura të përshpejtuara ose hyrje nga një derë e pasme në Bashkimin Evropian. Kërkojmë anëtarësim të mbështetur në meritë”, tha Kurti. Ai shtoi se rruga e integrimit ka rëndësi të njëjtë me anëtarësimin. Për katër vjetët e ardhshme, tri përparësitë e Kosovës, sipas tij, janë përmbyllja e reformave në drejtësi, administratë publike dhe arsim.
Kurti e mirëpriti humbjen e Vuçiqit në zgjedhjet serbe, duke thënë se ai u kishte premtuar serbëve të Kosovës ndarjen e vendit. Megjithatë, kryeministri tha se mbetet i rezervuar ndaj Listës Studentore, e cila fitoi zgjedhjet e tetorit, pasi programi i saj vazhdon të kundërshtojë sovranitetin e Kosovës. “E dimë kush ka humbur, por ende nuk e dimë kush ka fituar”, u shpreh ai.
“Le Monde” shkruan se Kurti dëshiron që Kosova të jetë nën mbrojtjen e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ndërsa Serbia nuk pranon në asnjë mënyrë ta njohë pavarësinë e saj. Gazeta thekson se niveli i autonomisë që qeveria e Kurtit u ofron serbëve të Kosovës, të cilët përbëjnë rreth 6 për qind të popullsisë, është një nga çështjet kryesore të mospajtimeve me Beogradin dhe, në një masë më të vogël, me Brukselin.
Gjatë vizitës, Kurti i kërkoi Francës të mbështesë investimet në infrastrukturë dhe energji, që Kosova të jetë më e qëndrueshme përballë pasigurisë gjeopolitike. Më 10 nëntor, kompania franceze Akuo Energy fitoi tenderin publik për ndërtimin e turbinave me erë, me kapacitet prej 98 megavatësh. Prishtina po kërkon gjithashtu gjysmë miliardi euro për pesë diga që do të përdoren nga industria, bujqësia dhe ekonomitë familjare.
Kosova kërkon përkrahjen e Parisit edhe për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030. Për projektimin e fshatit ndërkombëtar të sportistëve, ajo ka siguruar kredi prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD).
Hekurudha është një tjetër fushë ku Prishtina kërkon ndihmën franceze. Kurti kërkon financim për tri linja të reja dhe për modernizimin e një të katërtës, si dhe mbështetje që Kosova të përfshihet në Rrjetin Trans-Evropian të Transportit (TEN-T). Ai e sheh trenin si mjet zhvillimi për një vend pa dalje në det, por edhe si element të rëndësishëm të sigurisë.
“Mjafton të shohim Ukrainën: njerëzit udhëtojnë me tren, jo me aeroplan. Treni është mjeti më rezistent i transportit”, përfundoi Kurti.








