Ambasadorja e Francës në Tiranë, Catherine Suard, dënoi aktet e dhunshme në tubime, duke shmangur krahasimin mes protestave në Francë dhe atyre në Shqipëri.
Gjatë vizitës në Korçë, ku mori pjesë në hapjen e një ekspozite fotografike për Luftën e Parë Botërore, gazetarët e pyetën nëse shihte ngjashmëri mes protestave që po zhvillohen në të dy vendet.
Të lidhura
None found
Suard nuk pranoi të komentonte mbi ngjashmëritë politike, por u shpreh se Franca dënon dhunën pa dallim vendi. “Nuk dëshiroj të bëj komente. Por, si në Francë ashtu edhe në Shqipëri, ne dënojmë në mënyrë të veçantë aktet e dhunshme”, tha ajo.
Në Francë, studentët, sindikatat dhe lëvizja e “Jelekëve të Verdhë” po protestojnë kundër rritjes së kostos së jetesës dhe reformave në arsim.
Tubimet e fundit në Paris dhe qytete të tjera janë shoqëruar me qindra arrestime dhe përplasje me policinë. Si pasojë, qeveria ka angazhuar dhjetëra mijëra efektivë dhe ka nisur negociata sociale.






