Një lëkundje sizmike me magnitudë 5.7 të shkallës Rihter goditi pjesën qendrore të Japonisë gjatë natës së të shtunës dhe të dielës. Si pasojë, më shumë se 20 persona u plagosën, ndërsa në disa zona u evidentuan edhe dëme materiale.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë njoftoi se tërmeti u regjistrua në orën 01:04 sipas kohës lokale, me epiqendër në perëndim të prefekturës Shizuoka. Lëkundjet nisën nga një thellësi prej 40 kilometrash, ndërsa epiqendra ndodhej rreth 200 kilometra në perëndim të Tokios.
Të lidhura
None found
Të dhënat e publikuara nga gazeta lokale “Chunichi Shimbun” dhe televizioni “Tokai” flasin për 24 të plagosur në prefekturat Shizuoka dhe Aichi. Në Aichi, një zyrtar i shërbimeve të emergjencës deklaroi se 16 persona kishin marrë dëmtime të lehta. Ndërkohë, në Shizuoka u raportuan tre të plagosur, mes tyre edhe një 90-vjeçare, e cila u rrëzua nga shtrati gjatë lëkundjeve.
Përveç dëmtimeve në njerëz, tërmeti shkaktoi edhe thyerjen e xhamave në qytetet e prekura. Për shkak të lëkundjeve u ndërprenë disa shërbime të transportit hekurudhor, përfshirë linjën e trenave të shpejtësisë së lartë Shinkansen.
Japonia konsiderohet një nga shtetet më të rrezikuara nga tërmetet, pasi shtrihet në pikëtakimin e katër pllakave tektonike. Të dhënat tregojnë se rreth 18% e tërmeteve që ndodhin çdo vit në botë regjistrohen në arkipelagun japonez.
Edhe pse shumica e lëkundjeve sizmike nuk shkaktojnë dëme të mëdha, Japonia vijon të mbajë të freskët kujtesën e katastrofës së 11 marsit 2011. Atëherë, një tërmet me magnitudë 9.0 shkaktoi një cunami shkatërrues, duke e çuar numrin e viktimave dhe të zhdukurve në rreth 18,500 persona, ndërsa centrali bërthamor i Fukushimës u godit nga një katastrofë e rëndë.







