Elbasani u mund 1-0 nga Vllaznia në “Loro Boriçi”, duke regjistruar humbjen e parë me Glen Dajën në stol. Pas ndeshjes, trajneri i verdhebluve tha se nuk ishte shumë i kënaqur me lojën e skuadrës.

Të lidhura
None found
“Krijuam shumë raste, por ato nuk erdhën nga qarkullimi i topit. E dinim se do të ishte një ndeshje shumë e vështirë, që do të vendosej nga episodet. Vllaznia shënoi në rastin e vetëm që pati dhe e përgëzoj”, u shpreh Daja.
I pyetur për grintën, ai theksoi se motivimi që vjen nga vetë lojtarët ka më shumë peshë se ai i stafit. Sipas tij, pjesa tjetër e ekipit nuk mund të presë gjithmonë nga kapiteni dhe duhet të jetë më evituese.
Për ndryshimin e sistemit në pjesën e dytë, Daja pranoi se skuadrës i duhet kohë të përshtatet me të dhe me stafin. Ai tha se koha në dispozicion ka qenë më e madhe, por mungesat e rëndësishme për shkak të problemeve muskulare e detyruan ta niste me tre lojtarë në prapavijë. Me kontingjentin e plotë, sipas tij, do të kishte zgjedhur katër. Trajneri shtoi se nuk ishte i kënaqur me ndërtimin e lojës nga poshtë, pasi ai nuk funksionoi, ndërsa ndryshimi i sistemit ishte i detyruar. Ai përmendi edhe kalimin në 4-1-5.
Duke folur për mungesat dhe zëvendësuesit, Daja përmendi Joanin dhe Lleshin si pjesë të formacionit, si edhe Boriçin e Diallon. Ai tha se lojtarët rezervë nuk luajtën keq, por nuk bënë atë që u kishte kërkuar. Në vlerësimin e përgjithshëm, trajneri beson se Elbasani bëri mirë.
Pas dy javësh, Glen Daja do të ketë përballë babain e tij. “Profe është në tribunë. Jemi të dy profesionistë dhe përfaqësojmë dy klube të mëdha në Shqipëri. Le të fitojë më i miri”, tha ai.
Për avantazhin e mundshëm në atë përballje, Daja u shpreh se mund të ketë një gjysmëavantazhi të vogël, ndërsa babai i tij ka avantazhin e kohës. “Kemi shumë punë për të bërë, por çunat kanë cilësi. Duhet të rregullojmë dy-tri gjëra”, përfundoi trajneri.







