Gjykata ka caktuar masën e “arrestit shtëpiak” për Thomas Markle, babain e Meghan Markle, dukeshës së Sussex-it, pas arrestimit të tij në Florida nën akuzën e posedimit të materialeve me imazhe të abuzimit seksual ndaj fëmijëve. Vendimi u mor të premten, në përfundim të një seance që zgjati 30 minuta.
Markle, 82 vjeç, do të qëndrojë nën monitorim elektronik në qendrën e jetesës së asistuar ku po merr trajtim mjekësor. Në seancë ai nuk deklaroi nëse e pranonte apo e mohonte fajësinë. CBS News, partneri amerikan i BBC-së, raportoi se ai mbërriti në gjykatë me karrige me rrota, nën shoqërimin e dy marshallëve amerikanë.
Të lidhura
None found
Departamenti amerikan i Drejtësisë (DoJ) njoftoi se arrestimi i tij u bë pas paraqitjes së një ankese penale federale. Ndaj tij është ngritur një akuzë për posedim të imazheve të papërshtatshme të të miturve. Përmes një njoftimi të përbashkët, ky departament dhe Zyra e Prokurorit të SHBA-së për Kaliforninë Qendrore sqaruan se seanca e radhës në Kaliforni do të caktohet më vonë.
Sipas DoJ-së, përpara arrestimit, FBI-ja kontrolloi disa ambiente magazinimi në Los Anxhelos që figuronin në emër të Markle. Këto hapësira ishin marrë me qira prej tij që në vitin 2008 dhe pagesa më e fundit për to ishte bërë në tetor të këtij viti.
Nga kontrollet u sekuestruan rreth 78 materiale, ndër to libra, diapozitiva dhe negativë filmash. Dyshimet janë se ato përmbanin imazhe të abuzimit seksual ndaj fëmijëve.
Dokumentet hetimore tregojnë se dëshmitarët e kanë identifikuar pozitivisht Markle në dy imazhe të dyshuara si materiale të abuzimit seksual ndaj të miturve. Personi që shfaqet në fotografi duket të jetë nga 30 deri në 40 vjeç, gjë që sugjeron se materialet mund të datojnë disa dekada më parë. Në reagimet e tij të mëparshme, Markle i ka hedhur poshtë akuzat për posedimin e tyre, duke i quajtur pretendimet “gënjeshtra të neveritshme”.
Kash Patel, drejtori i FBI-së, tha se autoritetet kishin ndërhyrë me shpejtësi për ta arrestuar Markle. Sipas tij, FBI-ja do të angazhojë çdo burim që ka në dispozicion për mbrojtjen e fëmijëve dhe ndjekjen penale të kujtdo që dyshohet për krime të kësaj natyre.
Hetimet kanë përfshirë edhe Filipinet. Atje, muajin e kaluar, policia mori një urdhër për të kontrolluar pajisje që dyshohet të jenë larguar nga shtëpia ku Markle kishte banuar më parë.
Autoriteteve iu dorëzuan nga Thomas Markle Jr., gjysmëvëllai i Meghan Markle, katër kuti me materiale. Në to kishte kompjuterë, telefona, disqe të jashtme dhe videokaseta të vjetra.
Pas disa goditjeve në tru, Thomas Markle Sr. ishte shpërngulur vitin e kaluar në Filipine, ku qëndroi në Cebu deri në maj. Raportimet tregojnë se më pas ai u dërgua në një qendër rehabilitimi në Florida, ku po mësonte të ecte përsëri pas amputimit të njërës këmbë.
Një tjetër zhvillim u bë publik në tetor, kur Policia Metropolitane e Londrës konfirmoi marrjen, në vitin 2019, të një letre me disa pretendime për Thomas Markle.
Sipas policisë, informacioni kishte të bënte me pretendime jashtë territorit të Britanisë dhe i ishte dërguar zyrës së dukës dhe dukeshës së Sussex-it, por jo agjencive të tjera ligjzbatuese. Vetë policia i ka kërkuar Zyrës së Pavarur për Sjelljen e Policisë (IOPC) të shqyrtojë mënyrën e trajtimit të letrës.
Kur akuzat u publikuan në tetor, Meghan Markle u shpreh thellësisht e shqetësuar për informacionet e bëra publike dhe tha se mendimet e saj ishin me të gjithë fëmijët që mund të kishin pësuar dëme. Ajo është distancuar nga i ati që prej vitit 2018, ndërsa, sipas BBC-së, kontaktet me të i kishte ndërprerë edhe përpara asaj kohe.








