Policia braziliane ka arrestuar biznesmenin Eric Conrado Alves de Almeida, 41 vjeç, pas gjetjes pa jetë të ish-partneres së tij, avokates 29-vjeçare Anna Gabriela Faria Lima, dhe djalit të saj, Raphael, 6 vjeç. Ngjarja e rëndë ka tronditur Brazilin, ndërsa dyshimet e para për vdekjen e nënës dhe të birit lidhen me asfiksinë.
Trupat u zbuluan mbrëmjen e 3 nëntorit në apartamentin ku banonin në Cotia, qytet në rajonin metropolitan të Sao Paulos. Nëna dhe fëmija ndodheshin të shtrirë krah njëri-tjetrit në shtratin bashkëshortor.
Të lidhura
None found
Autoritetet nisën veprimet pasi të afërmit raportuan zhdukjen e tyre. Familjarët nuk kishin mundur të komunikonin me 29-vjeçaren dhe djalin e saj që prej së dielës.
Nga shqyrtimi i kamerave të sigurisë rezulton se të dielën, rreth orës 21:40, biznesmeni kishte hyrë në kompleksin e banimit me Anna Gabriela dhe Raphael. Ai është parë të dilte vetëm rreth orës 02:15 të mëngjesit të së hënës. Hetuesit thonë se në këtë hark kohor nuk është vërejtur asnjë person tjetër që të ketë hyrë apo dalë.
Pikërisht pesë orët e qëndrimit të 41-vjeçarit në banesë konsiderohen nga hetuesit si intervali kur mund të jetë kryer krimi. Një tjetër pistë që po verifikohet është nëse apartamenti u pastrua para se ai të largohej.
Sipas hetimeve, lidhja e çiftit ishte shoqëruar me përplasje, kërcënime, përndjekje dhe përpjekje për kontroll. Në dëshmitë e tyre, familjarë dhe të njohur të çiftit kanë treguar për raste të mëhershme dhune e kërcënimesh ndaj Anna Gabrielës.
Autoritetet po e trajtojnë çështjen si femicid dhe si vrasje të fëmijës me qëllim shkaktimin e vuajtjeve te nëna. Kjo formë dhune njihet si vrasje zëvendësuese (vicaricide).
Për biznesmenin është caktuar paraburgim i përkohshëm prej 30 ditësh. Ndërkohë, hetuesit po vijojnë punën për të përcaktuar plotësisht rrethanat dhe motivin e ngjarjes.







