Një operacion i autoriteteve në Igumenicë dhe Selanik çoi në goditjen e një rrjeti të trafikimit të paligjshëm të klandestinëve dhe arrestimin e 10 personave.
Hetimet treguan se grupi vepronte të paktën që prej qershorit 2025. Atij i atribuohen 41 raste transportimi të më shumë se 500 klandestinëve, ndërsa përfitimi i paligjshëm vlerësohet në të paktën 750.000 euro.
Të lidhura
None found
Sipas policisë, personat e trafikuar vinin nga Nepali, Jemeni dhe Kina. Ata kalonin në këmbë nga Shqipëria në Greqi, nëpër shtigje të vështira malore, dhe mbërrinin fillimisht në zonat e Igumenicës.
Atje, pjesëtarët e rrjetit i vendosnin përkohësisht në banesa ose tenda të improvizuara dhe u jepnin ushqim, ujë e karta SIM. Më pas organizonin udhëtimin e tyre me autobusë ndërqytetas, kryesisht drejt Athinës dhe Patrës, e në disa raste jashtë Greqisë.
Policia greke njoftoi se disa prej tyre dërgoheshin për punë bujqësore në Peloponez, ku punësoheshin pa procedura ligjore. Në shumë raste, anëtarët e organizatës u mbanin pasaportat si garanci që paratë e transportit t’i shlyenin përmes punës.
Mes 10 të arrestuarve janë dy burra nga Siria, një grua nga Shqipëria dhe shtatë shtetas grekë. Në këtë rast është përfshirë edhe një bashkëpunëtor 26-vjeçar, i cili ndodhet tashmë në ndalim të përkohshëm. Nëntë persona u arrestuan në Sajadhë të Igumenicës dhe një në Selanik.
Për të shmangur zbulimin, të dyshuarit përdornin një rrjet të mbyllur komunikimi në aplikacione online, ku shkëmbenin të dhëna për lëvizjet e Policisë, sipas njoftimit.
Gjatë kontrolleve në tre shtëpi dhe një dyqan u sekuestruan tre makina, telefona celularë, pajisje elektronike, 1.150 euro dhe katër pasaporta.
Autoritetet arrestuan njëkohësisht edhe 21 persona pa dokumente të ligjshme qëndrimi në Greqi. Pesë prej tyre u gjetën në banesën e një anëtari të dyshuar të rrjetit, ku jetonin, ndërsa punonin ilegalisht në biznesin e tij.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Europolin, me pjesëmarrjen e shërbimeve policore të Igumenicës, Selanikut dhe Patrës. Të arrestuarit pritet të paraqiten para autoritetit gjyqësor kompetent në Igumenicë.








