Ankesat e shumta të banorëve për pritjet e gjata për shërbim mjekësor e çuan kryebashkiakun e Barreiros, Carlinhos da Pedreira, në një inspektim të paparalajmëruar në spitalin bashkiak “Jailton Messias de Albuquerque”. Kontrolli, i kryer mbrëmjen e 4 nëntorit në shtetin Pernambuco të Brazilit, u shoqërua me një debat të ashpër me dy mjekë të turnit.
Pasi pa pacientë që prisnin në urgjencë, kryebashkiaku shkoi në mjediset e personelit mjekësor të natës. Në një dhomë pushimi të kyçur ndodheshin dy mjekë, një burrë dhe një grua, të cilët ai i akuzoi se po kryenin marrëdhënie intime në orarin e shërbimit, ndërsa të sëmurët prisnin ndihmë.
Të lidhura
None found
Në pamjet e publikuara prej tij, që u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, Carlinhos da Pedreira shfaqet i revoltuar dhe u thotë mjekëve se urgjenca ishte e mbushur me pacientë, ndërkohë që ata bënin seks.
Kryebashkiaku deklaroi se për atë mbrëmje ishin caktuar tre mjekë në shërbim, por gjatë inspektimit vetëm njëri po kryente vizita. Ai kërkoi që dy mjekët të largoheshin dhe të lajmërohej policia.
Një version tjetër të situatës paraqiti Sindikata e Mjekëve. Sipas saj, dy profesionistët po pushonin pas 12 orësh pune intensive, ndërsa kujdesi për pacientët vazhdonte të ofrohej nga një mjek tjetër.
Sindikata argumentoi se pushimi brenda turnit nuk mund të konsiderohet braktisje e detyrës kur shërbimi mjekësor vijon të jetë i garantuar.
Për rastin reagoi edhe Këshilli Rajonal i Mjekësisë në Pernambuco, duke dënuar ekspozimin në publik të profesionistëve shëndetësorë. Ky institucion theksoi gjithashtu se verifikimi i çdo shkeljeje të mundshme duhet të bëhet në rrugë institucionale e ligjore, me respekt për dinjitetin dhe të drejtën e mbrojtjes së mjekëve.
Pas përplasjes dhe reagimeve që e pasuan, Bashkia e Barreiros bëri të ditur se kishte ndërprerë kontratën me “Associação Beneficente João Paulo II”, organizata përgjegjëse për administrimin e spitalit. Derisa të zhvillohet një tender i ri, institucioni shëndetësor do të administrohet drejtpërdrejt nga bashkia.
https://t.co/F8iVcpSK1T
— XpressTR (@XpressTR) November 6, 2026




