Në 6-vjetorin e largimit të Rexhep Selimit drejt Hagës, kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, shkuan për vizitë në familjen e tij në Prishtinë.
Vizita u zhvillua të enjten në mbrëmje. Krahas tyre ishin edhe Alim Rama, sekretar organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe ministra, deputetë e aktivistë të partisë.
Të lidhura
None found
Pritjen e bëri bashkëshortja e Rexhep Selimit, Shqipe Mehmeti-Selimi, e cila është deputete në Kuvendin e Kosovës dhe ish-luftëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes njoftimit për këtë vizitë, Lëvizja Vetëvendosje kundërshtoi sërish aktgjykimin e 16 shtatorit për ish-krerët e UÇK-së, duke e vlerësuar si të padrejtë. LVV-ja theksoi se përpjekjet për drejtësi do të vijojnë deri në lirimin e tyre të plotë, në mënyrë që Rexhep Selimi të kthehet sa më shpejt në vendin për të cilin luftoi dhe ku nuk e ndërpreu asnjëherë angazhimin.
Njoftimi solli në kujtesë edhe 5 nëntorin e 6 viteve më parë, kur Selimi, përpara nisjes për në Hagë, vendosi lule pranë varrit të Astrit Deharit me rastin e përvjetorit të vdekjes së tij.
Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, që nga ajo kohë, 5 nëntori është kthyer në një ditë që i mbledh e i bashkon, duke u rikujtuar mungesën e madhe të dy shokëve të tyre.






