Shpërthimi i fuqishëm në Elbasan me dy viktima dhe 10 të lënduar/ Policia jep detajet nga operacioni nën rrënoja: Ja çfarë e shkaktoi zjarrin në pallat

Shpërthimi në pallatin në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan, ku mbetën të vdekur dy persona dhe disa të tjerë u lënduan, dyshohet se u shkaktua nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit Hamit Ibra, i cili gjithashtu mbeti viktimë.

Policia, në një njoftim zyrtar, thekson se grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon këqyrjen në vendin e ngjarjes dhe veprimet e tjera hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.

Të lidhura

None found

Sipas Policisë, viktimë mbetën dy persona. Hamit Ibra, pronari i banesës ku shpërtheu zjarri, u gjet i pajetë pas mesnate. Një ditë më parë, në vendngjarje humbi jetën edhe 82 vjeçarja Hatixhe Berisha. Po ashtu, të dëmtuar mbetën edhe 10 banorë të pallatit, të cilët u dërguan në spital.

“Nga veprimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, paraprakisht dyshohet se shpërthimi dhe më pas zjarri janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

NJOFTIMI:

Në vijim të informacionit të dhënë dje, për zjarrin në katin e tretë të pallatit në lagjen “Qemal Stafa”, informojmë se pas disa orësh kërkimesh intensive, nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile dhe Zjarrfikësit, u gjet, rreth orës 00:40, trupi i pajetë i pronarit të banesës ku ra zjarri, shtetasit H. I., 69 vjeç.

Si pasojë, humbi jetën në vendngjarje shtetasja H. B., 82 vjeçe. Gjithashtu, u dëmtuan 10 banorë në të njëjtin pallat, të cilët morën asistencë mjekësore dhe u larguan nga ambientet e spitalit, si dhe pati dëme të shumta materiale.

Nga veprimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, paraprakisht dyshohet se shpërthimi dhe më pas zjarri janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon këqyrjen në vendin e ngjarjes dhe veprimet e tjera hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për vlerësim.


Shtuar më 5.11.2026 10:25