Foshnja iu besua Adonis Demirit para vrasjes, Zymberi shpjegon procedurën e ndjekur nga QPS-ja

Mursel Zymberi, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, ka shpjeguar se kërkesa e Adonis Demirit për të marrë në përkujdesje vajzën e tij tre muajshe ishte shqyrtuar duke e trajtuar atë vetëm si prind biologjik. Foshnja ishte braktisur nga nëna në Spitalin e Gjilanit.

Sqarimet e tij pasojnë konfirmimin që Gjykata Themelore në Gjilan i ka dhënë Dukagjinit për një dënim të mëparshëm të Demirit për kanosje ndaj të fejuarës. Adonis Demiri, 27 vjeç, u vra më 1 nëntor në fshatin Demiraj, së bashku me vajzën e tij tre muajshe.

Të lidhura

None found

Duke folur në Debat Plus, Zymberi bëri të ditur se Demiri e kishte dorëzuar me shkrim kërkesën për kujdesin prindëror. Në QPS ai ishte paraqitur i shoqëruar nga të dy prindërit dhe motra, ndërsa, sipas drejtorit, gjatë atij takimi nuk ishin konstatuar shenja shqetësimi apo çrregullimi psikik. Zymberi shtoi se institucioni nuk kishte pasur asnjë shënim që të tregonte probleme të tilla dhe se Demiri ishte shfaqur në gjendje normale.

Drejtori sqaroi gjithashtu se marrja e kujdesit prindëror nga një prind biologjik nuk ndjek të njëjtën procedurë si adoptimi apo kujdestaria. Në këtë rast, theksoi ai, Adonisi kishte kërkuar të kujdesej për fëmijën e vet. Sipas Zymberit, Qendra për Punë Sociale nuk disponon një bazë të dhënash për të verifikuar nëse një person është përfshirë në krime të çfarëdo lloji.

Në përgjigjen e gjykatës thuhet se, më 17 qershor 2026, Gjykata Themelore në Gjilan – Dega në Kamenicë i kishte shqiptuar Demirit gjashtë muaj burgim për kanosje. Pas pëlqimit të dhënë prej tij, ky dënim ishte kthyer në gjobë në shumën 1 mijë e 800 euro.

Gjykata ka njoftuar edhe se, në prill të vitit 2026, Demiri kishte qëndruar dy muaj në Institutin e Forenzikës Psikiatrike në Prishtinë, nën dyshimin se kishte përdorur kokainë. Dërgimi në institut, sipas saj, ishte rekomanduar nga eksperti psikiatër për shkak të varësisë së tij nga substancat narkotike.

Gjithashtu, duke u mbështetur në dispozitat ligjore që zbatohen për kryerësit me çrregullime mendore, gjykata kishte vendosur ndaj tij masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri.

Zymberi u pyet edhe nëse, pas kësaj ngjarjeje, kishte marrë në konsideratë dorëheqjen. Ai u përgjigj se nuk e kishte menduar një hap të tillë.

Sa i përket vrasjes së dyfishtë në Demiraj, dosja e Prokurorisë i lidh dyshimet për vdekjen e Adonis Demirit dhe foshnjës së tij me një konflikt familjar. Babait të tij, B.D., i është caktuar një muaj paraburgim, pasi dyshohet për vrasje të rëndë.


Shtuar më 2.11.2026 21:23