Ron Raçi synon largimin nga Hajduku

Ron Raçi dëshiron të largohet nga Hajduku i Splitit gjatë afatit kalimtar të dimrit, raportoi të hënën “Nogometne Vijesti”.

Mbrojtësi i Kosovës nuk është i kënaqur me minutat që po i jepen së fundi dhe ka humbur vendin e titullarit te klubi i madh kroat.

Të lidhura

None found

Qendërmbrojtësi ka qëndruar në stol në pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, pa luajtur asnjë minutë. Paraqitjen e fundit 24-vjeçari e pati më 10 tetor, kundër Dinamos së Zagrebit.

Gjatë këtij edicioni, Raçi ka luajtur gjithsej 792 minuta dhe ka shënuar një gol.

Ai ka kaluar edhe periudha të mira me fanellën e Hajdukut. Trajneri Gonzalo Garcia i ka vlerësuar publikisht cilësitë e reprezentuesit të Kosovës.

Raçi u transferua te Hajduku nga Prishtina në verën e vitit të kaluar për 300 mijë euro. Kontrata e tij me klubin përfundon në verën e vitit 2029.


Shtuar më 2.11.2026 14:50