Ilyana Yotova bëhet presidentja e parë grua në historinë e Bullgarisë

Zgjedhjet presidenciale në Bullgari u fituan nga Ilyana Yotova, e cila shënon një precedent historik si gruaja e parë në krye të shtetit.

Politikania 62-vjeçare triumfoi në votimin e së dielës së bashku me kandidatin për zëvendëspresident, Valchev. Dyshja mori 57.58% të votave.

Të lidhura

None found

Me 99.95% të qendrave të votimit të numëruara, Yotova dhe Valchev kishin siguruar afërsisht 1.1 milion vota. Kundërshtarët e tyre, Andrei Gurov dhe Georgi Kantev, morën 39.47%, ose rreth 749,500 vota. Zgjedhjet u zhvilluan me pjesëmarrje të ulët të qytetarëve.

Yotova ka përfunduar studimet në Departamentin e Filologjisë Bullgare në Universitetin e Sofjes. Ajo nisi punën si gazetare dhe për disa vite shërbeu në Televizionin Kombëtar Bullgar si reportere, redaktore e prezantuese, para se të drejtonte departamentin e lajmeve.

Më vonë, ajo iu bashkua departamentit të komunikimit të Partisë Socialiste Bullgare dhe u zgjodh anëtare e Asamblesë Kombëtare. Mes viteve 2007 dhe 2017, Yotova ishte pjesë e Parlamentit Evropian, ku punoi për çështje të mbrojtjes së konsumatorit, peshkimit, peticioneve qytetare dhe lirive civile.

Në vitin 2017, ajo u zgjodh zëvendëspresidente e Bullgarisë, në krah të Rumen Radevit. Pesë vjet më pas filloi mandatin e saj të dytë në këtë post, të cilin e mbajti për nëntë vite.

Radev u largua nga presidenca në janar, për të hyrë në garën për kryeministër. Partia e tij, Bullgaria Progresive, fitoi bindshëm dhe krijoi qeverinë e parë të qëndrueshme pas disa vitesh trazirash politike. Kushtetuta e Bullgarisë i jep kryeministrit më shumë kompetenca sesa presidentit.

Rezultati i Yotovës mund të ndikojë në qasjen e Bullgarisë ndaj luftës në Ukrainë, përfshirë edhe në dritën e qëndrimeve të saj për marrëdhëniet me Moskën.

Ashtu si Radevi, paraardhësi i saj, presidentja e re ka mbështetur zgjidhjen diplomatike të konfliktit dhe ka thënë se paqja mund të arrihet vetëm me negociata. Ajo është shprehur kundër rritjes së mëtejshme të fuqisë ushtarake të Kievit.

Në ditët e fundit të fushatës, Yotova deklaroi se të gjithë duhet të bisedojnë me presidentin rus Vladimir Putin, duke e përshkruar veten si një “presidente të paqes”.

Megjithëse ka shprehur këto qëndrime për Rusinë, Yotova nuk vë në pikëpyetje anëtarësimin e Bullgarisë në Bashkimin Evropian dhe NATO. Ajo ka kërkuar që politika e jashtme të jetë e pavarur dhe vendimmarrja të udhëhiqet mbi të gjitha nga interesi kombëtar.

Pjesëmarrja e pakët në votime dhe rezultati i zgjedhjeve kanë hapur debat për ndikimin e forcave politike pro-ruse në vend. Partia e ekstremit të djathtë “Rilindja” pretendoi se mobilizimi i mbështetësve të saj ishte një prej faktorëve që ndikoi në fitoren e Yotovës, raportoi Financial Times.


Shtuar më 2.11.2026 09:38