Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, mbi 52 milionë votues kanë votuar paraprakisht, fushata arrin 11.6 miliardë dollarë

Vetëm 48 orë e ndajnë SHBA-në nga dita zyrtare e zgjedhjeve të mesmandatit, që do të zhvillohen më 3 nëntor.

Votimi shihet gjerësisht si një referendum për dy vitet e para të mandatit të dytë të Presidentit Donald Trump. Rezultati pritet të ndryshojë ekuilibrat e pushtetit në Uashington dhe të ndikojë drejtpërdrejt në zbatimin e axhendës së tij politike deri në vitin 2028.

Të lidhura

None found

Zgjedhësit do të përcaktojnë përbërjen e të 435 vendeve të Dhomës së Përfaqësuesve, 35 prej 100 ulëseve të Senatit dhe 36 posteve të guvernatorëve në të gjithë vendin.

Të dhënat më të fundit nga platformat e monitorimit të zgjedhjeve tregojnë se më shumë se 52 milionë amerikanë e kanë dhënë tashmë votën përmes postës ose në qendrat e votimit të parakohshëm. Shifra ka tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 46 milionë votash, të regjistruara në zgjedhjet e ngjashme të vitit 2022.

Një nga shtetet që po ndiqet me interes të veçantë është Teksasi, i njohur tradicionalisht si bastion konservator. Atje, mbi 7.4 milionë qytetarë, ose rreth 39% e votuesve të regjistruar, kanë votuar para kohe. Pjesëmarrja e lartë, sidomos në zonat e mëdha urbane si Houston dhe Dallas, po shihet nga analistët si tregues i interesit të fortë për të ndikuar në drejtimin politik të vendit.

Zgjedhjet e këtij viti kanë vendosur gjithashtu një rekord të ri financiar. Për fushatat dhe reklamat televizive e digjitale janë shpenzuar të paktën 11.6 miliardë dollarë, duke i tejkaluar shpenzimet e fushatës presidenciale të zhvilluar dy vite më parë.

Financimi i garës politike është mbështetur fuqishëm nga figura të njohura të biznesit. Në kampin republikan, Elon Musk kryeson listën e donatorëve, me një kontribut që i kalon 446 milionë dollarët.

Ndërkohë, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Michael Bloomberg, ka shtuar ndjeshëm mbështetjen për demokratët në ditët e fundit, duke dhënë 116 milionë dollarë për organizatat dhe kandidatët e kësaj force politike.

Gara më e fortë individuale po zhvillohet në Teksas, ku demokrati James Talarico po përballet me republikanin Ken Paxton për një vend në Senat. Talarico ka mbledhur rreth 150 milionë dollarë, duke vendosur një rekord të ri.

Ndërsa sondazhet kombëtare e vlerësojnë mbështetjen për Presidentin Donald Trump në 40% dhe tregojnë një epërsi të lehtë të demokratëve, ai ka shtuar ndjeshëm angazhimet në fushatë.

Në fjalimet e tij, Trump u ka kërkuar mbështetësve të veprojnë sikur emri i tij të ishte në fletën e votimit: “Shtiruni sikur emri im është në fletën e votimit”. Ai ka premtuar gjithashtu lehtësime të reja fiskale për pensionet dhe bakshishet.


Shtuar më 1.11.2026 23:08