Osmani: Sistemi gjyqësor nuk mori asnjë masë ndaj gjyqtarëve pas letrës së Arlinda Zekajt

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas publikimit të një letre tjetër të Arlinda Zekajt, drejtuar gjyqtarit me kërkesën për vendosjen e një urdhri mbrojtës.

Përmes një postimi, Osmani ka publikuar një pjesë të letrës dhe ka deklaruar se institucionet e drejtësisë nuk arritën ta mbronin Zekajn.

Të lidhura

None found

Vëmendjen e saj e ka përqendruar te shprehja e përdorur në letër: “Për ju është rutinë, për mua është jetë”.

“Kjo fjali, e shkruar nga Arlinda Zekaj në kërkim të ndihmës, përbën një akuzë të rëndë ndaj një sistemi që kishte për detyrë ta mbronte, por nuk arriti ta dëgjonte në kohë”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka nënvizuar se asnjë grua apo nënë nuk duhet të detyrohet të lutet për të drejtën për të jetuar.

“Nuk duhet të përgjërohet për sigurinë e fëmijëve të saj. Mbi të gjitha, nuk duhet të jetojë me frikën se institucionet do të reagojnë vetëm pasi të jetë tepër vonë. Deri tani, ZERO masa janë marrë nga sistemi gjyqësor ndaj gjyqtarëve që kanë treguar neglizhencë”, ka shkruar Osmani.


Shtuar më 1.11.2026 15:08