Në stadiumin “Liman Gegaj”, Malisheva dhe Feronikeli 74 u ndanë në paqe me rezultatin 0-0, në takimin që i përkiste javës së 12-të të Superligës së Kosovës.
Ekipi vendas e filloi ndeshjen me ritëm më të lartë dhe arriti të shënonte që në minutat e para, por sistemi VAR e anuloi golin.
Të lidhura
None found
Malisheva vijoi të ushtronte presion dhe në minutën e 35-të iu dha një rast i artë për të kaluar në epërsi. Megjithatë, sulmuesi Xhemail Ibishi dështoi nga pika e penalltisë, teksa goditja e tij u prit nga portieri i Feronikelit 74, Agron Kolaj.
Në fraksionin e dytë të lojës, kryesuesit e tabelës provuan të ndryshonin ecurinë e sfidës me disa ndërrime, duke synuar më shumë energji në repartin sulmues.
Pavarësisht kësaj, formacioni i drejtuar nga Elon Berisha u tregua i fortë në mbrojtje dhe rezistoi ndaj presionit të kundërshtarëve deri në momentin e fundit të ndeshjes.
Si pasojë, të dyja skuadrat u mjaftuan me nga një pikë, në një duel ku Malisheva kishte shansin më të qartë për të zhbllokuar sfidën, por nuk e shfrytëzoi dot penalltinë.
Pas këtij barazimi, Malisheva mbetet në krye të renditjes me 27 pikë, ndërsa Feronikeli 74 ngjitet në kuotën e 12 pikëve.




