Stilisti Valdrin Sahiti ishte i ftuar mbrëmjen e kaluar në emisionin “Goca dhe Gra”, ku foli për karrierën e tij dhe faktorët që e kanë ndihmuar të arrijë suksesin.
Gjatë viteve, ai ka krijuar veshje për disa prej figurave më të njohura ndërkombëtare, mes tyre Beyonce, Jennifer Lopez, Mariah Carey, Nicki Minaj, Cardi B, Kylie Jenner, Khloe Kardashian, Rita Ora, Paris Hilton dhe Bebe Rexha. Në total, Sahiti ka veshur më shumë se 30 emra të njohur, duke shtrirë aktivitetin e tij nga Hollywood-i deri në Lindjen e Mesme.
Të lidhura
None found
Duke shpjeguar se kur nisi të besonte te potenciali i tij, stilisti tha se gjithçka ndryshoi kur kufijtë e vendlindjes nuk përputheshin më me ambiciet që kishte.
“Kam filluar në momentin që kufijtë e vendlindjes nuk kanë qenë kufijtë e ambicieve të mia. Sepse jo çdo vendlindje ka hapësirë për mendimin e lirë dhe jo çdo mendim i lirë rikthehet në ambicie. Unë mendoj që, mbase kam filluar dhe shumë i ri, kjo ka qenë ndër fazat kryesore të kalimit të kufijve në ambicie, në mendje. E pastaj kur e kam bindur veten se unë mendoj se ‘unë mund ta bëj’, e kam bërë”, u shpreh Valdrin Sahiti.
I pyetur nëse për veshjen e personazheve të famshme ka pasur një buxhet të posaçëm apo pagesa për promovimin e markës, Sahiti tha se një brand shqiptar, aq më tepër kosovar, nuk mund të përballojë një investim të tillë në nivelet më të larta të industrisë.
“Realisht në këtë pikë, në standardet e industrisë sonë, nuk mendoj që një brand shqiptar, aq më pak kosovar, mund të ketë një buxhet, i cili mbulon veshjen ose PR direkt në nivelin e high celebrity. Në mënyrën time ka funksionuar në mënyrën organike sepse në 2017 kam patur një debutim global që ka rrjedhë si pasojë e Instagram dhe teknologjisë dixhitale. Pra ka depërtuar talenti. E vërteta është se talenti depërton por rikthimet e tyre te brendi, pastaj kanë validuar seriozitetin e brand-it”, deklaroi ai.
Stilisti shtoi se rruga për të dëshmuar seriozitetin e markës nuk ka qenë e lehtë, veçanërisht për shkak të vështirësive që lidhen me vendin e origjinës së saj.
“Nuk ka qenë e lehtë në atë kohë që brandi të jetë serioz dhe ende vazhdon të mos jetë, sepse vendi nga vjen brandi ka pasur vështirësi që ne i dimë të gjithë, e vazhdon të ketë vështirësi që nga mosnjohja dhe ekzistenca shtetërore e deri te mosnjohja e pagesave elektronike. Ka qenë dyfish më e vështirë në biznes dhe në validim”, tha Sahiti.
Sa i përket rolit që luajnë talenti dhe këmbëngulja në sukses, ai veçoi disiplinën dhe vazhdimësinë si elemente që e zhvillojnë dhe e formësojnë talentin.
“Unë besoj fuqishëm në talent dhe mendoj që talenti është dhuntia që natyra i ofron njeriut në këmbim të përsosmërisë së njeriut. Por besoj fuqishëm në anën tjetër, që këmbëngulja dhe disiplina janë faktori numër një i suksesit. Me talentin lindim dhe jo të gjithë e kanë, është një dhuratë nga natyra, një prekje e Zotit. Këtë e kam dëshmuar nga vetja, nga ekipi, nga njerëzit që kam punuar, nga kolegë, nga këngëtarët, nga njerëzit që rrin, e kupton që njerëzit e talentuar nuk janë njerëz të zakonshëm. Por mendoj që konsistenca dhe disiplina janë dy gjërat kryesore që e mbështesin talentin dhe i japin talentit formë”, përfundoi ai.








