Gjatë mbrëmjes së kaluar, moderatorja e emisionit “Goca dhe Gra”, Ori Nebijaj, komentoi situatën politike në vend dhe bëri një deklaratë të drejtpërdrejtë për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Nebijaj po prezantonte intervistën e realizuar nga Ema Andrea me Besnik Mustafajn, ish-ministër i Jashtëm dhe ish-deputet i PD-së. Në këtë bisedë, Mustafaj trajtoi edhe zhvillimet e fundit politike në Shqipëri.
Të lidhura
None found
Duke iu referuar intervistës dhe protestës së zhvilluar gjatë ditës, moderatorja tha se vendi përballet me një pushtet që ka humbur mbështetjen e qytetarëve, ndërsa opozita, sipas saj, nuk po përmbush rolin e saj.
“Sonte do të kemi mundësinë të ndjekim së bashku një intervistë të veçantë me Besnik Mustafajn, të cilën do ta sjellë Ema Andrea. Ata kanë prekur çështje që lidhen me realitetin shqiptar dhe me ekstremet që po shfaqen jo vetëm në shoqëri, por në shumë fusha të jetës. Është folur për protestat dhe zhvillimet politike. Besnik Mustafaj, përveçse publicist dhe shkrimtar, ka qenë edhe i angazhuar drejtpërdrejt, ndaj në bisedë janë rikthyer edhe disa prej të vërtetave të mëdha që u kujtuan gjatë protestës së zhvilluar sot”, u shpreh Nebijaj.
“Ajo që u përcoll ishte pamja e një pushteti që nuk gëzon më besimin e qytetarëve dhe e një opozite që nuk ekziston, duke refuzuar të dëgjojë zërin e tyre. Në krye të opozitës është një kryetar partie që vazhdon të mos dëgjojë dhe të mos marrë vendime, duke shtuar tensionet në një situatë ku ende nuk është e qartë se cili duhet të jetë prioriteti. Duhet të kuptojmë nëse fokusi janë kërkesat e studentëve dhe të rinjve, apo dëshirat e qytetarëve që i mbështesin ata dhe presin ndryshime”, deklaroi ajo.
Ori Nebijaj ka qenë gjithashtu deputete e Partisë Demokratike.







