Brenda një periudhe dyditore, policia ka arrestuar 13 persona të moshave 18 deri në 46 vjeç në Shkup, Prilep, Demir Kapi, Bogovinë dhe Shtip. Gjatë kontrolleve, autoritetet kanë sekuestruar marihuanë, lëndë të bardhë në formë pluhuri dhe kokrrizash, tableta, si dhe sende që përmbanin material pluhur.
Në Shkup janë ndaluar nëntë persona, të cilëve u është gjetur marihuanë dhe lëndë të dyshuara narkotike. Ndërkohë, në burgun e Prilepit, gjatë kontrollit të një të burgosuri 32-vjeçar, janë zbuluar lëndë pluhuri, disa tableta me ngjyra të ndryshme dhe sende me përmbajtje pluhuri.
Të lidhura
None found
Në të njëjtën ditë, rreth orës 21:00, në fshatin Bogovinë, efektivët e Stacionit Policor në Kamjan kanë arrestuar një 44-vjeçar nga fshati Pirok. Gjatë kontrollit të tij është gjetur dhe sekuestruar marihuanë, ndërsa ai është mbajtur në ambientet e stacionit policor.
Në Demir Kapi është ndaluar një 29-vjeçar nga fshati Koreshnicë, të cilit i janë gjetur një lëndë e bardhë pluhur dhe një tabletë. Sipas MPB-së, një rast tjetër është evidentuar në Shtip, ku një 26-vjeçar nga Shkupi është konstatuar duke konsumuar marihuanë.
Ministria e Punëve të Brendshme bëri të ditur se, pasi të përfundojë dokumentimi i rasteve, ndaj personave të arrestuar do të ngrihen kallëzimet përkatëse.








