Emisioni “Në Shënjestër”, i drejtuar nga gazetarja Klodiana Lala në News24, i kushtoi një material të posaçëm ngjitjes së Ergys Agasit, nga një ish-zyrtar i administratës në një figurë me ndikim të pretenduar në institucionet shtetërore dhe në procedurat e tenderimit të AKSHI-t.
Dokumentari pasqyron rrugëtimin e Agasit në administratë dhe në sektorin privat, duke nisur nga kompanitë e tregtimit të duhanit deri te themelimi i “EA Solution”. Sipas SPAK, përmes kësaj kompanie ai dyshohet se ka përfituar mbi 9 milionë euro në formën e ryshfetit.
Të lidhura
None found
Një pjesë e materialit i kushtohet hetimit të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet italiane, kontrollit të bizneseve të Agasit dhe sekuestrimit të serverave ku ishin ruajtur filmime. Po ashtu, trajtohen lidhjet e tij me biznesmenin Ermal Beqiri dhe me drejtuesen e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Pjesë nga dokumentari:
Si arriti Ergys Agasi të kalonte nga një zyrtar i panjohur në një “eminencë gri”, ndaj së cilës shteti sillej sikur kishte përballë një kumbar?
Pak prej njerëzve që kishin punuar me të ose që kishin qenë vartës të tij do ta kishin imagjinuar se, brenda disa vitesh, ai do të shndërrohej jo vetëm në një biznesmen miliarder, por edhe në personin që ndikonte në prapaskenat e nomenklaturës shtetërore.
Sipas materialit, ndikimi i tij shkonte deri te emërimi ose largimi i drejtorëve të përgjithshëm të Policisë.
Madje pretendohet se ai kishte mundësi të ndikonte edhe në ndryshimin e ministrave të Brendshëm.
Pyetja që ngrihet është se si një 39-vjeçar, i cili dikur punonte në një zyrë modeste drejtorie, arriti të ngjitej kaq lart dhe të fitonte ndikim mbi një pjesë të rëndësishme të shtetit.
Ngjitja e tij në 7 apo 8 vitet e fundit përshkruhet si e jashtëzakonshme, ndërsa emri i Agasit nisi të bëhej publik kryesisht pas hetimeve të agjencive të huaja ligjzbatuese.
Në qendër të këtyre zhvillimeve ishte veçanërisht autoriteti italian.
Ky i fundit i përcolli SPAK-ut një dosje të gjerë hetimore ndaj Ergys Agasit.
Sipas materialeve, hetimi kishte nisur që në vitin 2019.
Fashikulli i siguruar nga emisioni “Në Shënjestër” tregon se në atë periudhë agjencitë ligjzbatuese italiane dhe shqiptare ngritën një strukturë të përbashkët hetimi.
Prokuroria kishte regjistruar një procedim për trafikim të lëndëve narkotike, të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Në vitin 2023, këtij fashikulli iu shtua edhe një procedim penal i regjistruar nga SPAK për veprën penale “Kontrabanda me mallra”, e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në muajin qershor të vitit 2025 në magazinat e një kompanie në pronësi të Agasit, e cila merrej me produkte duhani, u gjetën edhe servera që përmbanin filmime të ruajtura në dosje të veçanta.
Këto të dhëna ndihmuan në zbardhjen e lidhjeve të tij me politikën dhe me drejtues të rëndësishëm të administratës, edhe pse deri atëherë ai ishte kryesisht një emër i përfolur.
Një prej personave të lidhur me këtë histori është Mirlinda Karçanaj, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.
Ky institucion zhvillon procedura prokurimi me vlerë miliona euro.
Sipas materialit, Agasi dhe rrethi i njerëzve që vepronin nën ndikimin e tij kishin shtrirë kontrollin në AKSHI, duke përfituar tenderët më të rëndësishëm dhe duke e kthyer këtë skemë në një aferë kriminale.
Pretendohet gjithashtu se biznesmenë të ndryshëm detyroheshin të tërhiqeshin nga garat, pasi dërgoheshin jashtë Tiranës.
Kjo bëhej me synimin për t’u hapur rrugë biznesmenëve të afërt me Agasin, mes të cilëve përmendet edhe Ermal Beqiri.
Beqiri është arrestuar në Francë dhe pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë.
Ergys Agasi është djali i Bardhyl Agasit, ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë për disa mandate dhe një prej eksponentëve të njohur të Partisë Socialiste, i cili qëndroi aktiv në politikë deri në mesin e viteve 2000.
Deri në vitin 2013, Ergys Agasi kishte mbajtur një profil të ulët publik.
Prania e tij në skenën publike nisi të rritej pas ardhjes së socialistëve në pushtet.
Fillimisht, ai u emërua në drejtimin e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve.
Emërimi iu propozua nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila në atë kohë qeveriste së bashku me Partinë Socialiste, gjatë mandatit të parë të kësaj të fundit në pushtet.
Agasi qëndroi në atë detyrë deri në vitin 2017, kur PS-ja dhe LSI-ja i dhanë fund bashkëpunimit.
Megjithatë, ndarja politike mes dy forcave të majta nuk duket se e largoi Agasin nga rrjeti i pushtetit.
Sipas materialit, ai nisi të vepronte në mënyrë më të padukshme, duke ndërtuar ndikimin e tij në prapaskenë.
Paralelisht, Agasi kishte nisur prej kohësh aktivitetin në biznes.
Në vitin 2011, dy vjet përpara se socialistët të merrnin pushtetin, ai bashkëthemeloi me disa shtetas grekë kompaninë e eksport-importit “Agasi Markoudis Group”.
Në vitin 2016 krijoi shoqërinë “EA LOGISTICS”.
Një vit më vonë, kjo kompani ndryshoi emërtim dhe u bë “EA TOBACCO”.
Fusha kryesore e aktivitetit të saj ishte tregtia e cigareve.
Pikërisht në këtë periudhë, sipas dokumentarit, nisën edhe përplasjet e para të Agasit me drejtësinë.
Emri i tij tërhoqi vëmendjen e SPAK-ut për shkak të aktivitetit të kësaj kompanie.
Pas blerjes së “Albanian Tabak Fabrika e Cigareve”, Agasi dyshohet se u përfshi në kontrabandën e duhanit.
Në vitin 2020, përmes “EA Tobaço”, ai bleu të gjitha aksionet e kompanisë “Special Tobaço”.
Po në këtë kompani u rikthye emërtimi i mëparshëm “EA LOGISTICS”, me aktivitet në shitblerjen me shumicë dhe pakicë të cigareve dhe produkteve të duhanit.
Me afrimin pranë pushtetit, Agasi duket se kuptoi edhe drejtimin ku do të përqendrohej biznesi i së ardhmes.
Teknologjia nisi të shihej prej tij si burimi kryesor i të ardhurave.
Për këtë arsye, në vitin 2023 ai u orientua drejt sektorit të teknologjisë së informacionit.
Më 15 Mars 2023, Agasi regjistroi në emrin e tij, si ortak i vetëm, shoqërinë “EA Solution” SHPK.
Objekti kryesor i kompanisë ishte zhvillimi, implementimi dhe mirëmbajtja e sistemeve dhe programeve në fushën e teknologjisë së informacionit.
Kjo shoqëri rezultoi veçanërisht fitimprurëse për Agasin.
Brenda dy vitesh, përmes një serie transaksionesh, portofoli i tij u shtua me 9 milionë euro.
Sipas materialit, këto të ardhura nuk erdhën nga kryerja e punëve konkrete, por nga ndikimi i ushtruar në paracaktimin e tenderëve të AKSHI-t.
SPAK deklaron në dosje se, gjatë viteve 2023 dhe 2025, Ergys Agasi përfitoi mbi 9 milionë euro përmes disa transaksioneve, si ryshfet në këmbim të ndikimit të tij në përcaktimin paraprak të tenderëve të AKSHI-t.
Në këtë skemë u përfshi edhe biznesmeni Ermal Beqiri.
Sipas hetimeve, ata jo vetëm përfituan miliona euro nga tenderët e AKSHI-t, në kohën kur institucioni drejtohej nga Mirlinda Karçanaj, por nisën edhe të ushtronin presion ndaj konkurrentëve.
Një prej rasteve të përmendura është ai i biznesmenit Gerond Meçe.
Meçe u mor nga poshtë pallatit ku banonte nga persona që u paraqitën si pjesëtarë të një patrulle policie, ku pretendonin se kishte edhe oficerë të BKH-së.
Më pas ai u dërgua në drejtim të Elbasanit dhe u kërcënua që të hiqte dorë nga pjesëmarrja në tenderët e zhvilluar nga AKSHI, si edhe nga ankimimet pranë këtij institucioni, të drejtuar nga Mirlinda Karçanaj.
Karçanaj dhe Agasi shfaqen në filmime brenda ambienteve të kompanisë së këtij të fundit.
Agasi, sipas materialit, regjistronte çdo zyrtar që vizitonte bizneset e tij dhe i ruante pamjet në arkiv.
Dyshimi është se këto filmime mund të përdoreshin më vonë si mjet shantazhi, me synim përfitimin.
Ai kishte ruajtur gjithashtu orë të tëra pamjesh filmike, me një kujdes të veçantë.
Gerond Meçe akuzoi pikërisht biznesmenin Ermal Beqiri, i cili shfaqet edhe në ambientet e kompanisë së Agasit, në praninë e këtij të fundit dhe të drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.








