Gazetari Artan Hoxha, në një intervistë për News24, komentoi protestën e studentëve dhe veprimet e Policisë së Shtetit. Ai vuri në pikëpyetje pretendimet e kryeministrit Edi Rama se në protestë ishte përfshirë krimi i organizuar.
Sipas Hoxhës, në 48 orët e para Rama nuk e kishte parashikuar situatën që u krijua. Gazetari vlerësoi qëndrueshmërinë e të rinjve, të cilët, sipas tij, protestuan për 7-8 orë me intensitet të lartë.
Të lidhura
None found
Hoxha tha se protesta kishte vijuar për 16 ditë dhe se në këtë periudhë protestuesit nuk kishin përdorur armë. Ai kundërshtoi lidhjen që Rama bëri mes protestës dhe krimit të organizuar, duke deklaruar se ky i fundit nuk sulmon me gurë. Sipas gazetarit, ishte pretenduar gjithashtu se protestuesit synonin të sulmonin policinë me dron.
Duke folur për çastet më të tensionuara, Hoxha tha se, po të vazhdonte protesta edhe për një çerek ore, protestuesit mund të hynin në Kryeministri. Ai përmendi dëmtimin e mjeteve të policisë dhe përdorimin e automjeteve të ujit, si dhe theksoi se në vend të Gardës u angazhua RENEA si masë e fundit mbrojtëse.
Gazetari u shpreh se dalja e RENEA-s mund të ketë krijuar përshtypjen se situata po shkonte drejt përshkallëzimit. Sipas tij, protestuesit nuk e dinin se në çfarë gjendjeje ishte policia atë ditë.
Hoxha foli edhe për valën e dytë të protestës, që sipas tij kryeministri tentoi ta ndalte me dhunë, veçanërisht ndaj të miturve. Ai tha se pamjet filmike treguan raste kur 5-6 policë godisnin një person të pambrojtur, si dhe raste kur njerëzit goditeshin pasi arrestoheshin. Sipas gazetarit, këto veprime synonin të frikësonin dhe demotivonin protestuesit. Ai shtoi se Rama e kuptoi se personat me maska ishin ata që mbanin gjallë protestën.
“Nëse në ditët e para pamë që, në 48 orët e para pamë që kryeministri u kap gafil, nuk e mendonte që do t’i vinte kjo situatë. Qëndrueshmëria e atyre të rinjve prej 7-8 orësh ishte e jashtëzakonshme dhe me intensitet të madh. Është bërë 16 ditë protestë dhe nuk kemi parë armë. Kryeministri thotë është përfshirë krimi i organizuar, por krimi i organizuar nuk sulmon me gurë. U tha një ditë se donin të sulmonin policinë me dron. Është ajo ditë që, po të kishte vazhduar edhe çerek ora protesta, do kishin hyrë në Kryeministri, sepse u dëmtuan mjetet e policisë, hedhjet e makinave të ujit. Dhe si masë e fundit mbrojtësve nuk u nxor Garda, por u nxor RENEA. Besoj që kur u panë që dolën RENEA, mendonin që situata mund të eskalonte. Protestuesit nuk kishin informacion se në çfarë gjendje ishte policia atë ditë… Forcat politike tradicionale e kanë, sepse një pjesë e mirë kanë kontakte… Por kjo vala e dytë të cilën kryeministri vendosi ta shuante me dhunë, sidomos dhuna ndaj të miturve. Dhunë që u kap nga kamerat ku 5-6 policë qëllonin një person vetëm të pambrojtur, ose i qëllonin pasi i arrestonin. Të gjitha këto synon të trembnin dhe të demotivonin protestuesit. Kryeministri e pa që ata që po e mbanin dhe ishin shpirti protestës ishin ato me maska”, tha ai.


