Samiti i G20 në Atlanta të SHBA-së u hap nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Në takim merr pjesë edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.
Takimet zhvillohen mes tensioneve të forta gjeopolitike, ndërsa vendet kanë qëndrime të ndryshme për luftën në Ukrainë, situatën në Iran dhe rritjen e çmimeve të naftës.
Të lidhura
None found
Samiti po mbahet sot dhe nesër në shtetin e Xhorxhias, pak ditë përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA. Ai shërben gjithashtu si përgatitje për takimin e nivelit të lartë të G20, të cilin presidenti amerikan Donald Trump planifikon ta organizojë në mesin e dhjetorit, në klubin e tij të golfit pranë Majamit, në Florida.
Duke hapur punimet, Rubio e përshkroi periudhën aktuale si një “moment përcaktues” për botën. Ai tha se krizat ekonomike dhe gjeopolitike janë të ndërlidhura dhe paralajmëroi se ato vënë në rrezik themelet e rendit ekonomik global.
Ndarjet mes pjesëmarrësve u shfaqën që në nisje të takimit: fotografia tradicionale familjare nuk u realizua, pasi përfaqësuesit evropianë refuzuan të pozonin me Lavrovin.
Ministri i Jashtëm rus ndodhet në Atlanta me ftesë të SHBA-së dhe merr pjesë në punimet e samitit. Megjithatë, prania e tij nuk pritet të sjellë përparim në marrëdhëniet mes Moskës dhe Perëndimit.
Para takimit, një burim diplomatik evropian tha se pjesëmarrja e Lavrovit nuk nënkupton në asnjë mënyrë legjitimim të qëndrimeve ose veprimeve të Rusisë. Ai shtoi se vendet evropiane do të vazhdojnë të mbajnë qëndrimin e tyre lidhur me luftën në Ukrainë.
Bisedimet për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë janë pezull që nga fillimi i vitit. Po shqyrtohet mundësia që përfaqësuesit e Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së të takohen në nëntor në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të nxitur përpjekjet diplomatike. Uashingtoni, megjithatë, nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë mundësi.
Trump e ka ftuar presidentin rus Vladimir Putin në samitin e G20 që do të zhvillohet në SHBA në dhjetor, por ende nuk dihet nëse ai do të marrë pjesë.
Energjia dhe siguria ekonomike në fokus
SHBA-ja, e cila aktualisht kryeson G20, synon që organizata të përqendrohet sërish te objektivat e saj fillestare, përpara se presidencën t’ia kalojë Mbretërisë së Bashkuar. Sipas Uashingtonit, siguria globale dhe prosperiteti ekonomik janë të lidhura ngushtë.
Në Atlanta do të diskutohen sfidat që lidhen me energjinë dhe zinxhirët e furnizimit, si edhe mënyrat se si vendet mund të përballojnë së bashku pasojat e tensioneve gjeopolitike për sigurinë ekonomike.
Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit vuri në dukje se sigurimi i aksesit në energji është i rëndësishëm, veçanërisht për zhvillimin e teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale.
Në mbyllje të samitit nuk parashikohet të ketë deklaratë të përbashkët. Në vend të saj, do të publikohet një dokument me përfundimet e presidencës amerikane.
Në takim mungon Afrika e Jugut, e përfshirë në një përplasje diplomatike me administratën amerikane. Ndërkaq, Uashingtoni ka ftuar Poloninë dhe ka shprehur dëshirën që ajo të bëhet anëtare e plotë e G20.
Vëzhguesit do të ndjekin edhe mundësinë e kontakteve mes Marco Rubios dhe homologut të tij brazilian, Mauro Vieira. Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Brazilit janë një tjetër çështje që tërheq vëmendje në takimin e këtij viti.
PERMBAJTJA






