Rama njofton masat e reja për fëmijët: Diskutim për kufizimin e rrjeteve sociale dhe përgjegjësinë e familjeve

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria po përgatit një paketë masash për mbrojtjen dhe edukimin e të miturve, në kushtet e shqetësimeve për shtimin e episodeve të dhunës mes të rinjve.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, kreu i qeverisë vuri theksin te nevoja për një qasje të përbashkët me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, duke u ndalur te mësimet e nxjerra gjatë javëve të fundit. Në diskutim u përfshinë edhe përgjegjësia e familjeve, mbështetja sociale dhe përdorimi i rrjeteve sociale nga të miturit.

Të lidhura

None found

Rama bëri me dije se së shpejti do të zhvillohet një konsultim me prindërit, mësuesit dhe shkollat për përcaktimin e kufijve të moshës në platformat sociale. Ai hodhi gjithashtu idenë e vendosjes së penaliteteve financiare për familjet kur fëmijët shkaktojnë dëme, ndërsa kërkoi forcimin e ndihmës për familjet në nevojë dhe zgjerimin e mundësive për aktivitete sportive e kulturore.

“Para se të përcaktojmë se kush i ka përdorur apo keqpërdorur të rinjtë, duhet të kuptojmë se si mund të mbështeten familjet e tyre për t’i ndihmuar fëmijët të rikthehen te bashkëjetesa me të tjerët. Po analizojmë masat e ndërmarra nga vende të tjera, si Franca dhe Italia, të cilat janë përballur edhe ato me dhunën dhe nga të cilat kemi marrë shembuj.

Për familjet duhet të parashikojmë edhe penalitet financiar në rastet kur fëmijët shkaktojnë dëme. Nëse ndaj një të rrituri dënimi dhe izolimi i përcaktuar nga ligji përmbush detyrimin e shtetit, te një i mitur ky proces shënon vetëm fillimin e misionit. Po ashtu, duhet të përcaktojmë se si mund ta zgjerojmë ndihmën për familjet në vështirësi. Aktualisht kemi një sigurim për nënat e papuna që rrisin fëmijë dhe janë kryefamiljare.

Bonusi i bebes është përfshirë në një skemë mbështetjeje mujore, por kjo nuk është e mjaftueshme. Kemi vendosur gjithashtu të rrisim ndjeshëm ndihmën financiare për studentët nga familjet në nevojë, e cila do të arrijë në gjysmën e pagës minimale. Megjithatë, as kjo nuk mjafton për të pretenduar se e kemi përmbushur detyrën tonë”, u shpreh kryeministri.

Sipas Ramës, situata e krijuar ndër vite në Europë dhe në Shqipëri, për shkak të faktorëve të ngjashëm dhe të ndryshëm, kërkon një mënyrë të re trajtimi të çdo elementi që ndihmon në socializimin fizik. Ai tha se rrjetet sociale kanë nxitur një formë vetmie që përbën rrezik për bashkëjetesën, ndërsa psikologët e kanë lidhur këtë prirje edhe me mundësinë për t’u futur në një play-station.

“Për këtë arsye kemi vendosur të ndërhyjmë te kufiri i moshës për përdorimin e rrjeteve sociale. Do të hapim një diskutim me prindërit, mësuesit dhe shkollat për mënyrën e kufizimit të aksesit të të miturve në këto platforma. Një tjetër detyrë është zgjerimi i aktiviteteve të fëmijëve në sport dhe kulturë”, deklaroi Rama.


Shtuar më 30.10.2026 18:19