Presidenti Begaj dekreton datën e zgjedhjeve vendore

Zgjedhjet e ardhshme vendore në Shqipëri, do të zhvillohen më 9 maj 2027. Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka dekretuar këtë të premte datën për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë.

Vendimi është marrë pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, në përputhje me afatet e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor.

Të lidhura

None found

Sipas njoftimit të Presidencës, në konsultime morën pjesë vetëm përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Partisë Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.

Partitë e tjera politike, përfshirë opozitën, nuk iu përgjigjën ftesës së Presidentit dhe nuk paraqitën publikisht ndonjë preferencë për datën e zgjedhjeve.

Gjatë konsultimeve, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, propozoi datën 9 maj, duke argumentuar se kjo zgjedhje u jep institucioneve më shumë kohë për përgatitjen dhe organizimin e procesit zgjedhor.

Edhe Partia Socialdemokrate shprehu preferencën për këtë datë, ndërsa përfaqësuesit e përfshirë në konsultime u treguan të hapur ndaj alternativave të propozuara.

Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet vendore duhet të zhvillohen gjatë periudhës zgjedhore të pranverës, e cila përfshin katër të diela ndërmjet datave 15 prill dhe 15 maj.

 


Shtuar më 30.10.2026 15:17