Raporti zbulon arsyen e shkarkimit të gjeneralit nga Hegseth: informoi gazetarë të paakredituar për Ukrainën dhe Iranin

Gjenerali amerikan Brett Sylvia është shkarkuar nga detyra pas dyshimeve se u ka përcjellë dy gazetarëve informacione të klasifikuara për Ukrainën dhe Iranin gjatë një periudhe rreth njëvjeçare.

Sipas një raporti të brendshëm hetimor, të publikuar nga Axios, Sylvia e pranoi nxjerrjen e informacionit pasi dështoi në katër teste me detektor gënjeshtre.

Të lidhura

None found

Ai mbante një prej posteve më të rëndësishme në Pentagon për planifikimin ushtarak dhe u largua nga detyra pak ditë më parë me urdhër të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Dokumenti hetimor thotë se gjenerali pati vështirësi gjatë disa testimeve të përsëritura me poligraf dhe u përball me akuza për ndarjen e paautorizuar të informacionit me mediat. Megjithatë, ai bashkëpunoi me hetuesit, iu përgjigj pyetjeve mbi kontaktet me gazetarët dhe dorëzoi telefonin personal për kontroll dixhital.

Dyshohet se rrjedhja e informacionit kishte nisur në qershor të vitit 2025, përpara se Pentagoni të vendoste kufizime për aksesin e mediave të mëdha në institucion.

Edhe pas hyrjes në fuqi të këtyre masave, Sylvia vazhdoi të komunikonte me gazetarët. Kontaktet u zhvilluan përmes aplikacionit të enkriptuar Signal, si dhe gjatë një takimi në një restorant në Arlington të Virxhinias.

Takimi në restorant u organizua pasi gazetarit i ishte hequr akreditimi që i lejonte të hynte në Pentagon.

Gjatë bisedës, gjenerali dyshohet se u mbështet te shënimet e mbajtura gjatë shqyrtimit të një raporti të klasifikuar dhe i përcolli gazetarit, në mënyrë gojore, të dhëna për ndihmën amerikane ndaj Ukrainës.

Sipas hetuesve, gazetari po përgatiste një libër dhe ishte takuar dy herë me Sylvia-n.

Raporti nënvizon se gjenerali nuk i kishte koordinuar këto takime me Zyrën e Çështjeve Publike të Pentagonit. Ai gjithashtu nuk kishte kërkuar që informacioni t’i nënshtrohej verifikimit përpara se t’ia transmetonte gazetarit.

Një kapitull tjetër i hetimit lidhet me komunikimet në Signal dhe dyshimet se Sylvia kishte fshirë me dashje gjurmët e kontakteve me një prej gazetarëve, duke e justifikuar më pas si një gabim të paqëllimshëm.

Sipas raportit, në një moment gjatë periudhës qershor-korrik, gjenerali kishte marrë në Signal mesazhe nga një gazetar, identiteti i të cilit nuk është bërë publik.

Sylvia u shpjegoi hetuesve se nuk e kujtonte përmbajtjen e saktë të bisedës, por mendonte se mesazhet kishin të bënin me Iranin.

Ai deklaroi se nuk iu përgjigj komunikimit dhe vendosi ta fshinte. Sipas versionit të tij, gjatë këtij veprimi fshiu pa dashje të gjithë bisedën me gazetarin. Për pasojë, nga telefoni personal u zhdukën edhe regjistrat e telefonatave të zhvilluara përmes Signal.

Në një tjetër episod, gjenerali pranoi se ishte një prej 20 zyrtarëve që kishin shërbyer si burime për një artikull kritik ndaj drejtuesve të Pentagonit.

Shkarkimi i Sylvia-s shkaktoi edhe debate të brendshme mbi mënyrën se si u trajtua publikisht çështja.

Një zyrtar amerikan i tha Axios se Adam Telle, ushtruesi i detyrës së sekretarit të Ushtrisë, dhe zyra e tij i kishin bërë presion Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura amerikane që të publikonte një deklaratë në mbështetje të gjeneralit.

Sipas këtij burimi, synimi ishte të reduktohej dëmi që mund të shkaktonin zbulimet e ardhshme mbi arsyet e vërteta të shkarkimit.

Por deklarata u tërhoq pasi një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes e informoi Shtabin për motivet reale të largimit të Sylvia-s.

Një zyrtar i ushtrisë amerikane i mohoi kategorikisht akuzat se zyra e Telle kishte kërkuar publikimin e një deklarate pro gjeneralit.

“Ky është episodi i fundit i një fushate të koordinuar gënjeshtrash, që synon të shkaktojë kaos”, deklaroi ai. Zyrtari shtoi se Telle dhe zyra e tij nuk kishin mbështetur publikimin e asnjë deklarate për Sylvia-n dhe se pretendimi ishte tërësisht i pavërtetë.

Largimi i gjeneralit shihet si episodi më i fundit i përpjekjes së Pentagonit, nën drejtimin e Pete Hegseth, për të ndalur rrjedhjen e informacionit drejt mediave.

Në korrik, Departamenti i Mbrojtjes njoftoi ngritjen e një grupi të përbashkët pune me Departamentin e Drejtësisë, i cili do të fokusohej në identifikimin e personave që nxjerrin të dhëna nga Pentagoni.

Shërbimit Ligjor të Departamentit të Mbrojtjes iu kërkua gjithashtu t’i jepte përparësi ndjekjes penale të personave që publikojnë pa autorizim informacione për mediat.

Që prej vitit të kaluar, disa gazetarë që mbulojnë fushën e mbrojtjes, së bashku me përfaqësues të organizatave mediatike, kishin dorëzuar akreditimet e tyre në shenjë proteste ndaj kufizimeve të forta të Pentagonit për aksesin dhe raportimin nga institucioni.


Shtuar më 30.10.2026 13:00