I pandehuri për zjarrvënien ndaj dy automjeteve diplomatike të Ambasadës Bullgare në Shkup u shpall fajtor në seancën gjyqësore të sotme për veprën e kryer më 15 qershor të këtij viti.
“Ndihem fajtor dhe e pranoj plotësisht përgjegjësinë. Vendimin e mora vetë”, tha ai para gjykatës.
Të lidhura
None found
Bëhet fjalë për një 44-vjeçar nga Shkupi, i cili më 15 qershor 2026, rreth orës 12:05, dogji dy automjete diplomatike të parkuara para Ambasadës së Republikës së Bullgarisë, në bulevardin “Metropolitan Teodosij Gologanov” të kryeqytetit.
Sipas të dhënave të paraqitura gjatë seancës, në momentin e ngjarjes ai kishte veshur një bluzë ku paraqitej Goce Dellçev.
Ditën e incidentit, i akuzuari u nis nga banesa dhe shkoi me autobus në qendër të Shkupit. Pranë ambasadës, në një pikë karburanti Makpetrol, ai mbushi me benzinë një shishe plastike. Më pas kaloi rrugën, iu afrua automjeteve të parkuara, i lagu me karburant, u vuri flakën me çakmak dhe u largua menjëherë.
Automjetet e dëmtuara nga zjarri përdoreshin nga atasheu ushtarak i Bullgarisë dhe punonjës të tjerë të misionit diplomatik. Ngjarja nxiti reagime publike, ndërsa policia e identifikoi dhe e ndaloi të dyshuarin po atë ditë.
Fillimisht, Prokuroria Themelore Publike në Shkup hapi procedurë për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Më pas, pas sigurimit të informacioneve shtesë, çështja kaloi në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Më 16 shtator, kjo prokurori ngriti aktakuzë për veprën penale “Rrezikimi i Personave nën Mbrojtje Ndërkombëtare”.





