Këtë të premte, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është paraqitur sërish në Gjykatën e Posaçme, në kuadër të dosjes “SASPAC”, pa praninë e avokatit të tij mbrojtës.
Beqaj është shoqëruar nga një oficer policie, ndërsa mungesa e avokatit lidhet me bojkotin e seancave gjyqësore nga ana e mbrojtësve ligjorë.
Të lidhura
None found
Bojkoti nisi më 8 shtator, në shenjë proteste ndaj rregullores së re të GJKKO-së, e cila hyri në fuqi më 1 shtator. Avokatët kundërshtojnë disa prej dispozitave të saj, veçanërisht kufizimet për mbajtjen dhe përdorimin e telefonave celularë gjatë seancave gjyqësore.
Edhe pse më 28 tetor Gjykata Administrative e Apelit pezulloi përkohësisht efektet e vendimit të Dhomës së Avokatisë për bojkotin, avokatët nuk janë rikthyer ende në seancat e GJKKO-së, në pritje të një qëndrimi zyrtar të Dhomës.
Ilir Beqaj është nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” në kuadër të hetimeve për dosjen “SASPAC”, ku SPAK e akuzon për disa vepra penale që lidhen me dyshimet për abuzime me fondet dhe procedurat e prokurimit.






