Në mbledhjen e zhvilluar sot nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, këshilltari i Partisë Socialiste, Halit Valteri, prezantoi një rezolutë lidhur me transferimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga institucioni i paraburgimit në Durrës në burgun e Fierit.
Valteri deklaroi se transferimi i papritur dhe kushtet në të cilat mbahet kryebashkiaku përbëjnë një shqetësim serioz. Ai theksoi se Veliaj gëzon prezumimin e pafajësisë dhe duhet të ketë të garantuara të gjitha të drejtat e parashikuara nga ligji.
Të lidhura
None found
“I kërkojmë Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Burgjeve të japin menjëherë transparencë për arsyet ligjore dhe faktike të këtij transferimi. Gjithashtu, kërkojmë që atij t’i sigurohen kushte qëndrimi në përputhje me standardet ligjore dhe europiane, si dhe të bëhet një vlerësim i menjëhershëm i nevojave të tij shëndetësore. Me sa di unë, z. Veliaj ka pësuar edhe një aksident, e ka këmbën në allçi dhe ka kryer disa vizita në spital. Për këtë arsye, nuk e kuptoj se çfarë e ka bërë kaq urgjente marrjen dhe dërgimin e tij në Fier. Avokatit të Popullit i kërkojmë që, brenda kufijve të ligjit, të bëjë publike gjetjet dhe rekomandimet e inspektimit”, u shpreh Valteri.
Këshilltarët e Bashkisë së Tiranës shprehën shqetësimin e tyre për transferimin e Erion Veliajt nga paraburgimi në Durrës drejt institucionit të Fierit, si edhe për raportimet mbi kushtet e vështira të mbajtjes së tij.
Shqetësimi, sipas tyre, është shtuar pas vizitës së Avokatit të Popullit në institucionin e Fierit, ku janë evidentuar çështje që kërkojnë verifikim dhe reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.
“Erion Veliaj është një qytetar i paraburgosur, për të cilin vlen prezumimi i pafajësisë dhe të gjitha të drejtat që Kushtetuta dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut i njohin çdo individi. Ai është gjithashtu Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës, mandati i të cilit është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në rezolutë.
Sipas këshilltarëve, masa e paraburgimit nuk mund të përdoret si arsye për trajtim çnjerëzor ose poshtërues, për kufizime të pajustifikuara të komunikimit me familjen dhe avokatët, apo për pengimin e marrjes së shërbimit shëndetësor.
Për këtë arsye, këshilltarët kërkojnë nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve transparencë të menjëhershme mbi shkaqet ligjore dhe faktike të transferimit.
Një tjetër kërkesë është garantimi i kushteve të qëndrimit sipas standardeve ligjore dhe europiane, së bashku me vlerësimin e menjëhershëm të nevojave shëndetësore të Erion Veliajt.
Rezoluta kërkon gjithashtu respektimin e plotë të së drejtës së tij për të komunikuar me familjarët dhe mbrojtësit ligjorë.
Këshilltarët kërkojnë verifikimin e çdo kufizimi dhe largimin e atyre masave që nuk kanë justifikim dhe që pengojnë ushtrimin e të drejtave të tij.
Avokatit të Popullit i është kërkuar që, brenda kufijve ligjorë, të publikojë gjetjet dhe rekomandimet e dala nga inspektimi i kryer.
Anëtarët e Këshillit Bashkiak theksuan se kanë përgjegjësi të sigurojnë që situata e krijuar të mos sjellë pengesa të paligjshme në funksionimin e Bashkisë së Tiranës dhe në ushtrimin e kompetencave të kryetarit të saj.
“Ne nuk po kërkojmë privilegje për Erion Veliajn, por zbatimin e ligjit, respektimin e dinjitetit njerëzor dhe të drejtave që i takojnë çdo qytetari”, thuhet në rezolutë.
Këshilltarët përfunduan se drejtësia nuk mund të zbatohet duke cenuar dinjitetin njerëzor dhe se institucionet publike nuk duhet të qëndrojnë indiferente përballë pretendimeve serioze për shkeljen e këtyre të drejtave.






