Me 90 vota pro, Kuvendi i Kosovës ka miratuar themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar që do të shqyrtojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve pas vrasjes së Arlinda Zekajt, si dhe mënyrën e trajtimit të dhunës në familje ndaj grave dhe fëmijëve.
Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë dhe do të ketë mandat gjashtëmujor. Në krye të tij është zgjedhur Burim Ramadani nga Aleanca, ndërsa postin e zëvendëskryetarit do ta mbajë Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Të lidhura
None found
LVV-ja në këtë komision do të përfaqësohet edhe nga Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu dhe Adelinë Tërshani. PDK-ja do të ketë si anëtare Besa Kabashi-Ramajn dhe Eman Rrahmanin, ndërsa LDK-ja do të përfaqësohet nga Doarsa Kica-Xhelili. Pjesë e komisionit do të jenë gjithashtu Jovana Radosavljeqi dhe Emilija Rexhepi, në cilësinë e përfaqësueseve të komuniteteve.
Gjatë diskutimeve para votimit, deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka propozuar zgjerimin e fushës së hetimit, duke kërkuar përfshirjen e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve të tjera përkatëse.
Ismaili kërkon përfshirjen e institucioneve të tjera në hetim
“Mendoj se dy-tri institucione duhet të shtohen. Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucione të tjera qeveritare që janë relevante në angazhimin tonë si komision”, ka deklaruar Ismaili.
Mbështetje për krijimin e komisionit ka shprehur edhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla. Ajo ka thënë se është e gatshme të bashkëpunojë me deputetët dhe të kontribuojë në sqarimin e fakteve.
Gërvalla: Do t’i përgjigjem çdo kërkese të komisionit
“Themelimi i këtij komisioni është një veprim i cili mbështetet fuqishëm nga ana ime si koordinatore dhe nga zyra që e udhëheq. Absolutisht nuk dua që të ketë dilemë asnjë deputet, jo vetëm për gatishmërinë, por këtë e kam theksuar edhe në fjalën time se do të jem plotësisht në disponimin tuaj për të dhënë përgjigjet e kërkuara dhe për të ndihmuar në zbardhjen e të gjitha fakteve që i posedoj”, ka thënë Gërvalla.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor nga ish-kunati i saj, tre ditë pasi u kishte dërguar një letër institucioneve përgjegjëse, ku i kishte paralajmëruar se jeta e saj ndodhej në rrezik.



