Apple prezanton MacBook-ët e parë me ekran me prekje

Të mërkurën, Apple pritet të zbulojë laptopët e parë MacBook me ekrane me prekje, një ndryshim që mund të sjellë mënyra të reja ndërveprimi me kompjuterët e kompanisë.

Sipas Reuters, njoftimi vjen pas një periudhe me disa lançime produktesh, në prag të sezonit të blerjeve për festat.

Të lidhura

None found

Pas prezantimit në shtator të një iPhone-i të palosshëm dhe, në fillim të këtij muaji, të një pajisjeje për shtëpi inteligjente, Apple po vlerëson se si mund të zgjerojë përdorimin e gamës MacBook.

Laptopët me ekrane me prekje janë tashmë të përhapur në tregun e pajisjeve Windows, ndërsa pritjet e blerësve kanë evoluar ndjeshëm.

Analistët e teknologjisë e shohin këtë kalim si një hap që mund t’i duhet Apple-it, sidomos për të afruar përdoruesit e rinj, të mësuar të përdorin ekranet interaktive të telefonave dhe tabletëve.

Shitjet e kompjuterëve Mac janë rritur, të mbështetura kryesisht nga entuziastët e teknologjisë dhe kompanitë që i përdorin pajisjet në procese të inteligjencës artificiale.

Sa mirë do të pritet risia dhe çfarë përmirësimesh do të sjellin modelet e reja mbeten pikëpyetje kryesore. Bloomberg News raportoi se MacBook-ët me ekran me prekje mund të përdorin procesorët M5 Pro dhe M5 Max, ndaj nuk parashikohet medoemos një rritje e madhe e performancës në raport me modelet aktuale.

Apple ka bërë të ditur gjithashtu se do të ketë një version bazë të përmirësuar të MacBook Pro, me çipin e ri M6. Tani mbetet të shihet si do të ndërthurë kompania përdorimin tradicional të MacBook-ut me komandimin përmes ekranit me prekje dhe nëse kjo veçori do të tërheqë më shumë blerës.


Shtuar më 29.10.2026 14:42