EShR: Bizneseve u miratohen mbi 14 miliardë denarë kredi, 44% për prodhimin vendas

Kompanive private në Maqedoninë e Veriut u janë miratuar kredi prej mbi 14 miliardë denarësh për investime dhe zhvillim. Përmes këtyre kredive me kushte të favorshme, bizneset kanë financuar ndërtimin e objekteve, blerjen e pajisjeve dhe kalimin në burime të ripërtëritshme të energjisë.

Enti Shtetëror i Revizionit bën të ditur se, deri në shkurt të vitit 2026, janë miratuar 767 projekte me vlerë rreth 14,3 miliardë denarë, në kuadër të një linje kreditore prej 250 milionë eurosh.

Të lidhura

None found

Nga mjetet e ndara, 44% kanë shkuar për prodhimin vendas, 25% janë përdorur nga sektori i tregtisë dhe 10% nga transporti.

Sipas llojit të investimit, 46% e mjeteve janë përdorur për objekte ndërtimore, 39% për pajisje moderne dhe 11% për kalimin në energji të ripërtëritshme.

Norma e interesit për këto kredi është fikse, 1,95%, ndërsa afati i kthimit arrin deri në 15 vjet, me periudhë grejs deri në tre vjet. Kompanive u kërkohet të mbulojnë vetë të paktën 20% të vlerës së investimit.

Revizioni ka konstatuar se veprimtaritë e Bankës Zhvillimore për administrimin e mjeteve janë në përputhje me kornizën përkatëse ligjore dhe kontraktuale.


Shtuar më 29.10.2026 12:14