Paketa fiskale: Shqipëria ndër vendet me taksat më të larta në rajon

Edhe pas vendimit për të mos e rritur tatimin mbi fitimin nga 15% në 17%, Shqipëria do të mbetet ndër vendet me barrën më të lartë tatimore mbi fitimin dhe dividendët në Ballkanin Perëndimor.

Paketa fiskale për vitin 2027 parashikon që dividendi të tatohet me 15%, një shkallë të re prej 30% për pagat mbi 700 mijë lekë në muaj dhe rritjen e TVSH-së standarde nga 20% në 21%.

Të lidhura

None found

Tatimfitimi do të vazhdojë të jetë më i lartë se në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë dhe për shumicën e bizneseve në Mal të Zi, ndërsa do të jetë i njëjtë me atë në Serbi.

Përfaqësues të biznesit kanë paralajmëruar se aktivitetet dhe investimet mund të zhvendosen drejt vendeve fqinje.

Në krahasimin e “Monitor” përfshihen normat kryesore tatimore të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe të Sllovenisë, Kroacisë, Hungarisë, Rumanisë, Greqisë, Turqisë dhe Moldavisë. Këto ekonomi kanë zgjedhur qasje të ndryshme për taksimin e fitimit, të ardhurave personale dhe konsumit.

Për tatimin mbi fitimin, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina kanë normë standarde 10%. Mali i Zi e nis me 9% dhe e rrit atë në mënyrë progresive deri në 15%. Në Serbi norma është 15%, njësoj si në Shqipëri pas heqjes dorë nga propozimi për ta çuar në 17%.

Mes vendeve të tjera të përfshira në analizë, norma më e ulët është ajo e Hungarisë, 9%. Moldavia aplikon 12%, ndërsa Rumania 16%. Në Kroaci, tatimfitimi është 10% ose 18%, në varësi të të ardhurave të biznesit. Sllovenia dhe Greqia kanë normë 22%, kurse Turqia 25%, me përqindje më të lartë për sektorin financiar.

Ndryshimet mes vendeve janë më të theksuara te tatimi mbi të ardhurat personale. Shqipëria zbaton aktualisht shkallë progresive prej 13% dhe 23% për pjesën e të ardhurave të tatueshme që kalon pragjet përkatëse.

Paketa e re shton një shkallë prej 30% për pjesën e pagës bruto mbi 700 mijë lekë në muaj. Drafti i parë parashikonte 32%, por norma u ndryshua gjatë prezantimit të paketës më 28 tetor.

Norma më e lartë e tatimit personal në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut është 10%. Në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës dhe Distriktin e Bërçkos, pagat tatohen me 10%, ndërsa në Republikën Srpska me 8%.

Mali i Zi përdor norma 0%, 9% dhe 15%. Serbia aplikon 10% mbi pagat dhe gjithashtu një tatim vjetor për individët, të ardhurat e të cilëve kalojnë kufijtë e përcaktuar.

Në Slloveni, normat progresive të tatimit personal variojnë nga 16% deri në 50%; në Greqi, nga 9% në 44%. Kroacia ka përqindje të ndryshme sipas bashkive. Turqia arrin deri në 40%, ndërsa Hungaria zbaton normë të sheshtë 15%, Moldavia 12% dhe Rumania 10%.

Paketa fiskale për vitin 2027 sjell ndryshime në taksimin e të ardhurave dhe fitimeve, por qeveria ka hequr nga plani rritjen e tatimfitimit të përfshirë në draftin fillestar.

Projekt-drafti parashikonte që tatimi mbi fitimin e korporatave të rritej me 2 pikë përqindjeje, nga 15% në 17%. Kjo masë pritej të sillte rreth 5 miliardë lekë të ardhura të tjera. Më 28 tetor, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se tatimi për biznesin e madh nuk do të rritet dhe do të mbetet 15%.

Ndryshe nga tatimfitimi, rritja e taksës mbi dividendin nga 8% në 15% vijon të jetë pjesë e paketës. Përllogaritjet fillestare të Ministrisë së Financave vlerësojnë se ajo mund të gjenerojë rreth 3 miliardë lekë shtesë.

Me këtë ndryshim, norma e tatimit mbi dividendin në Shqipëri do të barazohej me atë në Serbi, Mal të Zi dhe Hungari, nëse krahasohen normat e përgjithshme për individët rezidentë.

Në Kosovë, dividendët nuk tatohen, ndërsa Maqedonia e Veriut aplikon 10%. Rregullat në Bosnjë-Hercegovinë varen nga entiteti dhe rezidenca e përfituesit.

Për pagesat ndaj kompanive jorezidente, norma e përgjithshme e mbajtjes në burim është 5% në Federatë dhe 10% në Republikën Srpska, por marrëveshjet tatimore mund ta ndryshojnë atë.

Normat e dividendit në vendet e tjera të krahasuara janë 5% në Greqi, 6% në Moldavi, 12% në Kroaci, 16% në Rumani dhe 25% në Slloveni.

Propozimet për tatimin mbi pagat në Shqipëri përfshijnë dy masa që ndikojnë në drejtime të kundërta. Pragu mbi të cilin zbatohet norma 23% parashikohet të ngrihet nga 200 mijë në 300 mijë lekë në muaj.

Kjo do t’ua ulte barrën tatimore një pjese të punëmarrësve dhe do t’i kushtonte buxhetit rreth 1.98 miliardë lekë.

Ndërkohë, për pagat bruto që kalojnë 700 mijë lekë në muaj, është njoftuar një normë marxhinale e re prej 30%, në vend të 32% që ishte parashikuar fillimisht.

Ajo do të llogaritet vetëm mbi pjesën e pagës që tejkalon pragun. Relacioni fillestar vlerësonte se norma 32% do të sillte rreth 970 milionë lekë të ardhura shtesë në vit; ndikimi financiar i variantit të rishikuar duhet të rivlerësohet.

Norma maksimale prej 30% do të ishte dukshëm më e lartë se taksat e zakonshme mbi pagat në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, megjithëse do të aplikohej vetëm për një numër të kufizuar punëmarrësish.

Ndryshimet e paketës prekin edhe TVSH-në. Për herë të parë propozohet një normë e reduktuar 6% për produktet ushqimore bazë, krahasuar me 20% që zbatohet aktualisht. Sipas Ministrisë së Financave, kjo masë do të kishte kosto buxhetore prej 12.8 miliardë lekësh.

Në të njëjtën kohë, norma standarde e TVSH-së propozohet të kalojë nga 20% në 21%, ndryshim nga i cili priten 10.6 miliardë lekë të ardhura shtesë. Mes efektit të kësaj rritjeje dhe kostos së uljes së TVSH-së për ushqimet mbetet një diferencë prej rreth 2.2 miliardë lekësh.

Parashikohet gjithashtu që pragu i regjistrimit në TVSH të ulet në 5 milionë lekë xhiro vjetore, duke gjeneruar sipas vlerësimeve 4.5 miliardë lekë të ardhura shtesë.

Një tjetër propozim është rritja e TVSH-së për hotelerinë nga 6% në 10%, me përjashtim të agroturizmit; ndikimi fillestar i kësaj mase është vlerësuar në rreth 600 milionë lekë.

Pra, ulja e propozuar për produktet ushqimore vjen krahas zgjerimit të bazës së TVSH-së dhe rritjes së normës standarde për mallrat dhe shërbimet e tjera.

Norma të reduktuara të TVSH-së për ushqimet zbatohen prej kohësh në vendet e rajonit, por lista e produkteve që përfitojnë ndryshon nga një vend në tjetrin.

Serbia ka TVSH standarde 20% dhe normë të reduktuar 10% për produktet bazë. Në Kosovë përqindjet përkatëse janë 18% dhe 8%, ndërsa Maqedonia e Veriut zbaton 18% si normë standarde dhe 5% për kategori të caktuara ushqimore.

Norma standarde në Mal të Zi është 21%, me 7% për disa produkte ushqimore. Bosnjë-Hercegovina aplikon një normë të vetme prej 17% dhe nuk ka TVSH të reduktuar për ushqimet.

Në Kroaci, TVSH-ja standarde është 25%, ndërsa normat e reduktuara janë 5% dhe 13%. Sllovenia aplikon 22%, me norma të tjera prej 9.5% dhe 5%.

Greqia ka normë standarde 24% dhe të reduktuara 6% e 13%. Në Turqi norma standarde është 20%, ndërsa në Moldavi është 20%, së bashku me norma më të ulëta për kategori të caktuara.

Rumania e çoi TVSH-në standarde nga 19% në 21% në gusht 2025. Për shumicën e produkteve ushqimore, vendi aplikon normë të reduktuar 11%, me përjashtimet e përcaktuara në ligj.

Hungaria, e cila ka normën standarde më të lartë prej 27%, përdor norma të reduktuara 5% dhe 18% për kategori të caktuara ushqimore.


Shtuar më 29.10.2026 07:56