Një tjetër valë protestash pritet të zhvillohet në Itali të premten, më 30 tetor, pas thirrjes së sindikatës USB për një grevë të përgjithshme.
Mobilizimi do të përfshijë sektorë të shumtë, mes tyre arsimin, shëndetësinë dhe punonjësit e porteve. Tubime janë njoftuar në Romë, Milano, Bolonja, Torino, Firence, Napoli dhe Palermo.
Të lidhura
None found
Protestat do të zhvillohen nën moton “Ulni armët, rrisni pagat. Të bllokojmë gjithçka!”, ndërsa në fokus do të jenë kundërshtimi i luftës dhe shqetësimet për rritjen e kostos së jetesës. Në rrugë pritet të dalin punëtorë, pensionistë, studentë, aktivistë për të drejtën e strehimit dhe grupe pro-Palestinë.
USB u ka kërkuar qytetarëve dhe përfaqësuesve të kategorive të ndryshme shoqërore të marrin pjesë në një aksion të përbashkët. Kërkesat e sindikatës lidhen me frenimin e rritjes së çmimeve, shtimin e pagave dhe pensioneve, si dhe përdorimin e fondeve publike për shërbimet sociale në vend të shpenzimeve për armatime.
Në këtë thirrje janë bashkuar studentë të universiteteve dhe të shkollave të mesme, fermerë, transportues, organizata për mbrojtjen e të drejtës për strehim dhe qendra sociale.
Ndërkohë, sipas mediave italiane, autoritetet përgjegjëse për sigurinë po monitorojnë nga afër organizimin e protestave dhe situatën në qytetet kryesore.
Policia po kryen kontrolle në terren dhe po mban kontakte me organizatorët. Paralelisht, vëmendja është drejtuar edhe te aktiviteti online, për të evidentuar grupe të mundshme të dhunshme që mund t’u bashkohen tubimeve, si dhe lidhje të mundshme ndërmjet vatrave të ndryshme të pakënaqësisë.







